Roberto Carlos thotë se nuk do të ketë kurrë një Ronaldo tjetër, duke argumentuar se as Lionel Messi, as Cristiano Ronaldo dhe as Neymar nuk mund të krahasohen me ish-shokun e tij të kombëtares braziliane. “Fenomeni” kaloi pesë vite në “Santiago Bernabeu” duke luajtur së bashku me Carlos, i cili thotë se bashkatdhetari i tij ishte supertalenti i një grupi superstarësh së asaj kohe te “Galaktikët”:

“Ronaldo u dallua që në stërvitje. Ai ishte më i miri. Nuk do të ketë kurrë një “Fenomen” tjetër si ai. Jo, Neymar, Cristiano apo Messi nuk janë si ai. Ronaldo ishte unik. Personalisht mendoj se në gjeneratën tonë ishte më e vështirë për të shënuar gola. Ishte futboll më shumë fizik në atë kohë dhe sulmuesit ishin më pak të mbrojtur. Sidoqoftë, Ronaldo mund të bënte gjithçka.

Kemi luajtur së bashku te Real Madridi. Atje ekzistonte një atmosferë e mahnitshme brenda klubit. Edhe pse kishte lojtarë të mëdhenj, funksiononim vetëm si një grup njerëzish të shkëlqyeshëm, që punonin në të njëjtin mjedis. Të gjithë ishim miq të shkëlqyeshëm dhe akoma jemi. Ishte një kohezion vërtet spektakolar. Real Madridi është më i madh se egot e cilitdo. Klubi është gjigant dhe kultura e tij ishte e tillë, që të nënshkruante me lojtarë të mëdhenj.

Ishte detyrim; lojtarët duhej të përshtateshin me kulturën e klubit, jo e kundërta. Të gjithë duhej të flisnin spanjisht në dhomën e zhveshjes. I vetmi që vendosi të flasë më shumë portugalisht sesa spanjisht ishte David Beckham, sepse nuk do të largohej nga shtëpia ime. Ai rrinte afër me Ronaldon dhe mua, kështu që portugezja e tij u bë më e mirë se spanjishtja”.