Synimi është 18 maji. Shpresa e skuadrave dhe lojtarëve të Serie A duket se do të përmbushen, së paku për t’u kthyer për stërvitje në fushë në pak më shumë se dy javë. Njoftimi zyrtar nuk ka ardhur ende, por besimi po rritet. Edhe lojtarët e Juventusit, gjithashtu, duhet të fillojnë të kthehen në Itali në orët e ardhshme. Midis tyre, natyrisht edhe Cristiano Ronaldo. Siç raportohet nga “Tuttosport”, kampioni luzitan mund të kthehet në vilën e tij në Torino qysh këtë fundjavë.
Numri 7 bardhezi ka qenë në shtëpinë e tij në Madeira prej gati dy muajsh, por këtë fundjavë do të fluturojë me avionin privat për t’u rikthyer në Itali. Në dy muajt e kaluar në Funchal, CR7 arriti të stërvitej me topin në fushë, si dhe në palestrën e tij në shtëpi, falë lejes së presidentit të Nacional.
Sidoqoftë, pasi të kthehet në Torino, ai do të duhet të kryejë si të gjithë shokët e skuadrës, që vijnë nga jashtë, një karantinë 14-ditore, përpara se të mund të kthehet në fushë. Megjithatë, do të jetë gati deri më 18 maj. I njëjti fat do të prekë edhe shokët e tij të skuadrës, të paralajmëruar nga Juventusi, por ende nuk janë thirrur zyrtarisht. Shumë u kthyen në vendin e tyre, pasi izolimi i parë ndodhi në Itali dhe pasi rezultuan negativë në testin e tamponit. Tani duhet të zbarkojnë në Torino, me shpresën se mund të kthehen në stërvitje nga 18 maji.