Për vite të tëra, ai ka magjepsur Europën me fanellën e Barcelonës. Tani, Andrés Iniesta ka shkuar në Japoni për të dhënë “leksione” futbolli te Vissel Kobe. Mesfushori spanjoll ka rrëfyer karrierën e tij në mikrofonat e DAZN, duke imagjinuar edhe ditën e lamtumirës dhe çfarë do të jetë pas.

Në moshën 36-vjeçare, ai vazhdon të ketë të njëjtën dëshirë, si gjithmonë, për t’u argëtuar në fushën e blertë: “Unë kam të njëjtin entuziasëm si gjithmonë, si gjatë stërvitjes, ashtu edhe në fushë. Vazhdoj të kem të njëjtin pasion për futbollin. Vijoj të argëtohem, ky është qëllimi im dita-ditës; kjo është ajo që dua të dëgjoj nga këtu e tutje. Nuk e di se për sa kohë, por shpresoj edhe për pak. Ditën që nuk do të ndihem kaq rehat, do të ndjek një rrugë tjetër”.

Një karrierë e tërë e kaluar me fanellën e Barcelonës, nga dita e arritjes së tij aty deri në atë të lamtumirës: “Këto janë dy ndryshimet më të rëndësishme në jetën time: nga Fuentealbilla te Barcelona, në moshën 12-vjeçare dhe 34-vjeçare; nga Barcelona në Japoni. Ka ngjashmëri në kuptimin që të dyja nuk ishin vendime të lehta, secili në një periudhë të veçantë. Dallimi është se kur arrita te Barça isha fëmijë, kur u largova isha bërë tashmë burrë, baba me fëmijë. Pra, ishte një ndryshim i rëndësishëm nga pikëpamja familjare, jo vetëm ajo sportive. Me kalimin e moshës ndryshoni mënyrën e të menduarit, të parin e gjërave”.

Pastaj zgjodhi të provojë një rrugë të re, një aventurë krejtësisht tjetër, larg shtëpisë së tij: “Në Japoni është gjithçka ndryshe: një vend tjetër, një kulturë tjetër, një kampionat tjetër, rivalë të tjerë, shokë të tjerë, të cilët më kanë ndihmuar që të përmirësohem edhe më shumë. Ata vazhdojnë të më pasurojnë në shumë mënyra. Jemi shumë të lumtur me zgjedhjen tonë, me përvojën që po përjetojmë dhe kontekstin. Vërtet, shumë të lumtur”.

Në të ardhmen e Iniesta ka ende shumë futboll. Mesfushori i Vissel Kobe e sheh veten në stol, si trajner, në pak vite: “Do të dëshiroja të vazhdoja në futboll, në një farë mënyre. Unë e kam thënë tashmë në disa raste se dua të bëhem trajner, të mbetem afër fushës. Kjo është diçka që më intereson, më pëlqen si ide. Pasi e lë futbollin, gjërat i shikon ndryshe nga më parë. Flas me disa prej tyre, me Xavi më shumë, jo vetëm për gjërat specifike pasi i “var këpucët në gozhdë”, por edhe në përgjithësi. Deri para një viti e gjysmë ai ishte futbollist, tani trajner, ndaj shkëmbejmë disa këshilla. Të njëjtën gjë bëj edhe me të tjerë, që kanë filluar rrugën e trajningut. Futbolli për ne, si dhe për ata që e duan punën e tyre, duhet përballuar me pasion, gëzim dhe vetëbesim. E njëjta gjë ndodh edhe pas kalimit nga futbollist në trajner, besoj”.

Mesfushori i lindur më 1984 na tregon veten si njeri, përtej futbollistit: “Asnjëherë nuk jam përpjekur të dukem si ai që nuk jam. Dhe kur duhej të hapesha, e kam bërë me natyralitetin që mendoj se duhet të kisha në një moment të tillë. Unë jam njeri si gjithë të tjerët, pa supozimin e të qënit hero. Të gjithë e jetojnë situatën e tyre, profesionin që bëjnë, me rëndësi është lumturia personale, indirekt të bëni mirë. Shumë njerëz, siç më thotë psikologu im, kanë gjetur guximin të hapen falë meje, të besojnë në vetvete dhe kjo nuk është pak. Ta bësh diçka në një mënyrë natyrale, indirekt ndihmon edhe dikë tjetër. Kjo është shumë e bukur”.

Në një futboll gjithnjë e më atletik, Iniesta ka arritur të ndërtojë një vend mes gjigandëve të këtij sporti, pavarësisht se nuk ka një fizik të fuqishëm: “Unë gjithmonë e kam konsideruar veten lojtar futbolli. Kurrë nuk kam pasur ndonjë lloj frike, komplekse, sepse thjesht kam pasur gjithmonë besim te vetja dhe në mundësitë e mia. Kurrë nuk kam pasur dyshime për këtë. Pastaj, të gjithë duhet të mësojnë të pranojnë veten për atë që janë. Unë kurrë nuk kam lexuar në asnjë libër që të luash futboll duhet të jesh 180 cm dhe 78 kg. Secili ka karakteristikat e veta, virtytet dhe të metat e tij, të cilat përpiqet t’i përmirësojë. Është vetëbesimi, ai që na shtyn të kapërcejmë kufijtë tanë “.

Dhe kur karriera i afrohet lamtumirës, këtë ditë Iniesta tashmë e imagjinon, por shumë të ndërlikuar: “Më ka ndodhur të mendoj për ditën e ndeshjes time të fundit dhe e di se do të jetë e vështirë. Do të jetë një ditë e vështirë dhe unë tashmë e imagjinoj atë shumë të komplikuar. Do të jetë e vështirë dhe për këtë jam duke u përpjekur të përgatitem në një farë mënyre, për t’u përballur më mirë me atë që do të vijë më tej”.