Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku deklaroi se asnjë centimetër që i përket Teatrit Kombëtar nuk do të preket, ndërsa theksoi se godina e re do të ndërtohet në këtë hapësirë.

I ftuar në emisionin ‘Real Story’, në ‘News24’ Mazniku theksoi se të gjitha qeveritë shqiptare, kanë qenë në një mendje sa i takon vlerës së teatrit, ndërsa theksoi se në bazë të përshkrimeve të Institutit thuhej se Teatri Kombëtar ishte objekt pa vlerë.

“Në 2004, Instituti i monumenteve të Kulturës, ka një listë të objekteve, ku thoshte; Teatri Kombëtar është objekt pa vlerë. Nuk e kanë nxjerrë asnjëherë ‘monument kulture’. Pra, thuhet në dokument; Teatri godinë pa vlerë. Në 2007 është PD në pushtet, instituti i Kulturës vendos; ky objekt nuk vendoset në listën e monumenteve të Kulturës. Në 2018-ën kemi një vlerësim nga Instituti i Ndërtimit që thotë; ‘objekti ka rrezik shembje, zjarri. Rindërtimi do të kishte kosto më të madhe se nga rindërtimi’. Në 4 lloj qeverish të ndryshme, kanë qenë konsistent se; ‘ky objekt nuk ka pasur vlerë’. Asnjë cm katrorë e sipërfaqes se teatrit nuk do të ketë asnjë funksion tjetër, përveç teatrit. 5200 metra tokë, do të jenë në shërbim të objektit të ri. Debati për tokën, përveç në kokën e disa njerëzve, nuk qëndron asgjëkund.”, tha Mazniku.

Kaq mjaftoi që në debat të përfshihej edhe analisti Fatos Lubonja, i cili theksoi se Maks Velo bëri dikur një plan se si të ruhej ky teatër. Mes të tjerash ai solli shembullin e një teatri të vjetër në Rusi, që sipas tij vinte erë nevojtoreje, por që askujt s’i shkonte ndër mend të shembte godinën.