Nga Alfred Peza/
Ka gjithmonë zëra që artikulojnë pa u ndalur dëshirat opozitare, shumica dërrmuese e të cilave, rrotullohen rreth mbajtjes së zgjedhjeve të parakohëshme. Nëse ua numëron sa herë e kanë përcaktuar nga 2013 e deri më sot, datën apo muajin për diçka të tillë, atëherë do të kuptosh se në 7 vjet do të duhej të kishim shkuar dhjetra herë drejt kutive të votimit.
Një dëshirë e tillë ka nisur të riqarkullojë, pas rënies dakord të palëve në Këshillin Politik, për ndryshimin e periudhës së mbajtjes së zgjedhjeve, që tani e tutje do të jetë një një prej të dielave mes 15 prill- 15 majit dhe 15 tetor- 15 nëntorit. Zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare të radhës janë vitin e ardhshëm, megjithatë dëshirat mbeten dëshira, e për rrjedhojë ato janë të pafajshme!
Ajo që lidershipi dhe propaganda opozitare, i fsheh njerëzve të saj që mendojnë se mjafton të bëhen zgjedhjet dhe hallet e tyre marin fund, është diçka krejt tjetër. Zgjedhjet janë kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm, për të plotësuar dëshirën e tyre. Sepse zgjedhje kishte edhe një vit më parë. E ato nuk ishin të parakohëshme. Por “Opozita e Bashkuar” nuk i shfrytëzoi për të garuar, konkuruar, ofruar kandidatët dhe alternativën e saj, për pushtetin lokal e i bojkotoi.
Çka do të thotë, se halli i liderëve të opozitës, është i ndryshëm nga dëshirat, ëndrrat dhe nevojat e votuesve të tyre. Halli më i madh i shefave të opozitarëve tanë, është reforma në drejtësi. E ajo as nuk mund të tjetërsohet. As mund të devijohet. As mund të zhbllokohet. As mund të zhbëhet. Aq më pak nga një opozitë e cila ndodhet jashtë Parlamentit dhe jashtë sistemit politik dhe demokratik të vendit.
Lajmi i mirë është se këtë e ka kuptuar sot një pjesë e opozitës, e përfaqësuar nga PD dhe Lulzim Basha. Pavarësisht lëvizjeve taktike të përfaqësuesve të PD e LSI në tryezën e Këshillit Politik, e sigurtë është se në fund do kemi një ligj, i cili i jep garanci opozitës për të marë pjesë në zgjedhjet e radhës.
Kjo do të thotë se opozita, nuk duket e prirur që të bëjë gabimin fatal të vitit të shkuar, për të bojkotuar procesin dhe për të mos marë pjesë në garë për Parlamentin e ri. Çka do të thotë PD dhe Basha nuk do vijojnë të tentojnë për të bllokuar proceset politike, vetëm e vetëm se kanë hallin e reformës në drejtësi.
Në këtë mënyrë, jo reforma elektorale siç u trumbetua gjatë 2019, por reforma në drejtësi është kufiri i ri ndarës mes dy palëve brenda opozitës, në raport me mazhorancën e Kryeministrit Edi Rama. Ndryshimi mes zhvillimeve të vitit të shkuar dhe atyre të këtij viti, është se tani kemi qartazi dy grupe brenda opozitës që i përfaqësojnë dhe identifikohen me këto dy linja krejt të kundërta nga njëra tjetra.
Linja opozitare që e ka lidhur hallin me reformën në drejtësi, udhëhiqet nga Ilir Meta dhe më shumë se me ndonjë parti tjetër aktuale, ajo duket se do ta lidhi fatin e saj në rrugëtimin drejt së ardhmes, me partinë e tij të re politike që thuhet se mund të lindë nga shndërrimi i Forumit për Mbrotjen e Teatrit.
Kjo linjë është qartazi duke përvijuar profilin nacionalist, sovranist, antiperendimor, anti SHBA dhe anti BE. Çka përbën edhe një fenomen të ri politik në historinë e pluralizmit politik të Shqipërisë së përpara Luftës II Botërore dhe të 30 viteve të fundit.
Ndërsa linja tjetër opozitare është ajo që ka si kryetemë të luftës së vet politike, reformën zgjedhore dhe marjen e garancive maksimale për një proces me standarde sa më të larta në një vend që nga 1990 e deri më sot, nuk i ka patur edhe aq të mira, raportet me votën e lirë të qytetarëve të vet.
Ardhja deri tek ky moment politik, nuk ka qenë gjë e thjeshtë, por gjithësesi të jep shpresë se vitin e ardhshëm kur të jenë zgjedhjet e radhës, shqiptarët do të kenë përballë dy oferta: Një anti perendimore dhe një tjetër pro liberalizimit të vizave, pro NATO, SHBA dhe BE! Kjo ua ka bërë shqiptarëve, që tani, shumë më të lehtë zgjedhjen!