Luciano Spalletti pret një sfidë të re në karrierën si trajner, ndërkohë që kthehet të flasë për të kaluarën e tij me Francesco Totti. Në mikrofonat e “Sky Sport” ai u ndal në një nga raportet më të diskutuara të viteve të fundit në Serie A, i cili i ka ndarë fansat. Ka nga ata që janë me Totti, të tjerë me Spalletti, por një gjë është e sigurt: nga pikëpamja taktike, në përvojën e tij të parë me Romën, Luciano Spalletti i dha Francesco Totti një “jetë të dytë”: “Në atë Romë, në 4-2-3-0 tim, Francesco ishte zeroja; nuk kapej (arrihej) nga mbrojtësit kundërshtarë. Krijonte hapësira, pastaj hidhej brenda, ishte e vështirë ta mbuloje. Nga pas vinte Perrota, që mund të sulmonte hapësirat, pikërisht se ia lironte Totti. Ishte një skuadër e puthur nga dielli i Romës, e krijuar nga lojtarë që e pasonin topin pa vënë në vështirësi shokun”.

Pastaj kalojmë në anën njerëzore, atë që në eksperiencën e dytë të Spalletti në Romë ka krijuar shumë diskutime: “Për mua si trajner, rezultatet e ekipit janë mbi gjithçka. Unë interesohem së pari për këtë. Në përgjithësi, besoj se kam pasur një marrëdhënie të mirë me Francesco. Ka pasur gjëra, që përcaktuan sjelljet e mia të ndryshme, por gjithmonë duke menduar më të mirën për ekipin. Tani e di se ka filluar karrierën e tij si menaxher, i uroj një të ardhme të shkëlqyeshme. Sigurisht që do ta takoj, sepse kjo është puna jonë”.