Herën e fundit që Lazio fitonte titullin kampion ishte 20 vite më parë dhe këtë sezon dëshiron të provojë sërish t’ia dalë, por në Itali nuk ka ende një datë për rinisjen e kampionatit, pavarësisht përpjekjeve të shumta të Federatës dhe disa klubeve. Një prej skuadrave që po lufton më shumë për rinisjen e kampionatit është pikërisht Lazio, që këtë herë me anë të Drejtorit Sportiv Igli Tare, ka sulmuar qeverinë italiane dhe e ka akuzuar se në rastin më të mirë nuk po ndihmon futbollin e në rastin më të keq, po tallet.
“Të ndalesh tani do të thotë që me shumë mundësi të mos fillosh as në shtator dhe kjo do të ishte e paimagjinueshme. Qeveria po tallet me futbollin dhe nuk po e ndihmon aspak. Nuk arrij ta kuptoj sesi ministri i Sportit Spadafora është kaq i papërgjegjshëm, por sigurisht që ekzistojnë qeveri në Europë që po e ndihmojnë futbollin dhe këtu kam parasysh Anglinë, Gjermaninë e Spanjën”, tha Tare. Shqiptari pranoi se Lazio këtë sezon do të provojë të shkojë sërish te titulli kampion, por hodhi poshtë tërësisht akuzat se bardhekaltrit mendojnë vetëm për vete, duke theksuar se me futbollin ushqehen 370 mijë njerëz në të gjithë Italinë.
“Ne vijmë nga shumë larg dhe natyrisht që do të provojmë të fitojmë titullin kampion. Nëse nuk ia dalim këtë sezon, do të provojmë sërish sezonin e ardhshëm. Kush mendon se duam rinisjen e kampionatit për interesat tona e ka gabim, pasi po flasim për një sport që ushqen 370 mijë njerëz në të gjithë Italinë dhe nëse do të ketë një ndërprerje kaq të gjatë, do të dëmtohet rëndë ekonomia e tyre, e klubeve, por edhe e vetë shtetit italian”, u shpreh Igli Tare.