Moderatorja e njohur, Arbana Osmani, do të bëhet nënë për herë të dytë nga lidhja me regjisorin e programit të saj, Eduart Grishaj. “Gëzuar ditëlindjen gjysmës sime më të mirë, shokut tim të ngushtë, njeriut që ka rrëmbyer zemrën time (që shumë shpejt do të bëhet baba). Të dua!”, shkruante moderatorja, duke bërë me dije se është në pritje të ëmbël. Duke qenë se dhe vetë Arbana festoi ditëlindjen në të njëjtën ditë me Eduartin, pra 7 maj , ajo vendosi ta jepte lajmin në këtë ditë speciale, pikërisht në ditëlindjet e të dyve. Kështu, djali i saj Joni së shpejti do të bëhet me një motër ose vëlla dhe me siguri familja nuk mund të ishin më të lumtur se kaq.
Por ndjekësit e çiftit, që prej muajsh ka nisur bashkëjetesën në Tiranë, kanë shfaqur interesin për të ditur nëse ata e kishin planifikuar fëmijën apo jo. Burime pranë tyre kanë treguar se ata e kanë mirëpritur si një dhuratë nga Zoti, duke qenë se nuk ishte në planet e tyre të afërta. Ndërkohë, për të gjithë fansat e saj që presin një ceremoni dasme nga Arbana, ajo nuk ka për t’ua dhënë këtë kënaqësi, pasi nuk i pëlqen të vishet nuse në jetën reale, gjë që e ka bërë një herë të vetme për një sfilatë fustanesh nusërie.
Vitin e kaluar, Arbana Osmani dhe regjisori i emisionit “Dua të bëj lumtur” dolën në publik të kapur dorë për dore si të fejuar për herë të parë. Për këtë deklarim të lidhjes me bindje të plotë, ata kishin zgjedhur premierën e filmit të parë të Eduart Grishajt, me titull “Gjyshja”. Ai, krahu i saj i djathtë si regjisori i programit “Dua të të bëj të lumtur” dhe ajo krahu i tij i djathtë në deputimin e tij në kinema, duket se po shijojnë gjithçka në maksimum. Ndërkohë ata kishin nisur bashkëjetesën në shtëpinë e Arbanës, në një nga zonat luksoze të Tiranës.
Momente nga bashkëjetesa e lumtur e tyre i ka zbuluar vetë Eduarti, i cili e komplimenton pafund partneren e famshme për gatimet e saj të shijshme në karantinë, një pasion ky që Arbana prej disa vitesh e ka kthyer ndër prioritetet e saj, duke publikuar edhe libra. Po kush i provon i pari ushqimet e saj? Pra, përveç vetes, te kush ka besim për shijet? Pyetjes se kush i provonte gatimet e saj, ajo iu përgjigj: “Familja dhe miqtë e mi. Njerëzit që më duan më shumë dhe bëjnë vërejtjet më të shumta”, ku la të nënkuptohej se kryesori është partneri i saj, Eduarti.
Sa për sipërmarrjen përtej kuzhinës së shtëpisë, pra hapjen e një restoranti, ajo tha: “E kam menduar disa herë dhe deri tani ka qenë problem i kohës sime shumë të kufizuar për t’u marrë me një restorant. Programi im në televizion gjysmën e vitit më merr shumë kohë dhe energji dhe do e kisha të pamundur të menaxhoja siç duhet një restorant”.
Ndër të tjera, Arbana foli edhe për marrëdhënien me të birin dhe si po e trajnon që tani, në mënyrë që një ditë ai të bëhet një kuzhinier profesionist.