Janë lajmet e para të rëndësishme për rifillimin e futbollit italian. Që prej ditës së djeshme, në të vërtetë, është e mundur që lojtarët të stërviten individualisht në qendrat sportive, të vëna në dispozicion nga klubet, teksa po planifikohet rikthimi në Itali i atyre lojtarëve, që kishin lënë vendin për shkak të “Coronavirus” (Cristiano Ronaldo, mbi të gjitha). Një hap vendimtar drejt normalitetit, i cili mund të arrihet pjesërisht më 18 maj, me kthimin në trajnime kolektive, në përputhje me atë protokoll të famshëm të sigurisë, të hartuar nga FIGC dhe në pritje të miratimit nga qeveria, pas ndryshimeve të kërkuara, i cili parashikon rregulla të distancës sociale dhe teste mjekësore (serologjike dhe tamponë) për anëtarët e skuadrave. Një protokoll, që mbi të gjitha duhet të qartësojë se çfarë bëhet në rast të pozitivitetit me Covid 19 të një lojtari.
Për një hapje të dukshme duket se është tashmë edhe Ministri i Sportit, Vincenzo Spadafora, i cili në mikrofonat e “Rai 1” tha se shpreson që Seria A të mund të fillojë përsëri e të përfundojë gjatë verës: “Harta e planifikuar e rrugës që duhet ndjekur është konfirmuar, stërvitja individuale ka rifilluar më 4 maj, protokolli është shtrirë edhe te lojtarët, të cilët duhet të stërviten individualisht dhe jo me ekipin. Nga 18 maji do të jetë e mundur të fillohet përsëri me seancat në grup. Brenda kësaj jave duhet të të kemi një përgjigje përfundimtare. Ka pasur disa dyshime nga ana e komitetit tekniko-shkencor, por jam i sigurt që futbolli do të gjejë një zgjidhje të duhur.
Sezoni duhet të rinisë e përfundojë i plotë me siguri. Deri më sot nuk e dimë me siguri nëse do të jetë e mundur të rifillohet në mes të qershorit, por unë shpresoj. Rifillimi i kampionatit? Unë sinqerisht shpresoj kështu, do të ishte surreale nëse nuk do ta mendoja këtë, pasi jam ministri i sportit. Tonet e këtyre ditëve janë rezultat i presionit të tepërt për një zgjidhje të menjëhershme. Gjithçka do të varet nga situata e infeksionit që do të kemi në këto dy javë”. Spadafora e përsëriti se çdo ndalim përfundimtar i Serie A do të ishte një vendim për qeverinë: “Futbolli është sporti i preferuar i italianëve, por shumë ngjarje të tjera sportive si “Giro d’Italia” dhe më gjerë janë mbyllur. Sidoqoftë, qeveria do të duhet të thotë ndalim ose jo për garat kombëtare. Shpresojmë që të kemi një protokoll të plotë brenda javës. Të luajturit pas dyerve të mbyllura? Po, kjo është e padiskutueshme”.