Zëri zyrtar i LSI-së, “Koha Jonë” e Nikoll Lesit, ka sulmuar ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, pse nuk flet për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Ky sulm pason sulmet e mëparshme të LSI-së ndaj SHBA-së, duke filluar nga Ilir Meta, tek Ylli Manjani.

Shkrimi i zërit zyrtar të LSI

Të gjithë reaguan, bile fort, për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe dhunën ndaj artistëve. Nuk mbeti njeri pa reaguar dhe shprehur indinjatën se si hyri policia në orën 4 të mëngjezit, tamam si cubat, me armë automatike në dorë kur ishin vetëm artistë dhe disa aktivistë brenda. Edhe Monika Kryemadhi, të cilën e morën forcërisht në polici. Pse ishin mijëra policë, a thua se kishin rrethuar një grup terroristë të ISIS e duheshin ekzekutuar!

Reaguan krejt mediat botërore, liderë të BE, drejtues të forcave politike kryesore në parlamentin europian. Edhe publiku shqiptar reagoi fort, bile nëse doni një sondazh të besueshëm mbetet mbrëmë tek Blendi Fezviu në “Opinion”, ku në kohë rekord votuan 19 mijë e 200 veta. Dhe rezultati ishte se 72 % e shqiptarëve nuk janë për prishjen e Teatrit Kombëtar, që tani dërgjet nën rrenoja. Pra 72 % e shqiptarëve janë kundër asaj që bëri Edi Rama dhe Erjon Veliaj.

Përveç këtyre reaguan ambasadat kryesore të BE në Tiranë. Të gjithë!

Por nuk tha asnjë fjalë ambasada amerikane në Tiranë! Pse?! Kur që nga viti 1991 e deri tani të gjithë njerëzit prisin me veshë në krah se çdo të thotë ambasada amerikane në Tiranë. Kur fliste ajo, dhe fliste si supërshtet dhe shtet që mbetet lider i demokracisë në botë, të gjithë thonin: E tha Amerika! Tani ai që shkel ligjin dhe dhunon popullin, do të përgjigjet!

Dhe popullariteti i Amerikës në Shqipëri ishte diku te 99 % pro amerikan. Shqiptarët janë proamerikan se Amerika e ka mbrojtur Shqipërinë nga copëtimi. Ishte Presidenti Wilson që nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë, ndaj dhe shqiptarët i kanë ngritur monument Presidentit Wilson.

Janë shumë presidentë amerikan që ndihmuan Shqipërinë, ndaj mirënjohja e shqiptarëve shkon në delir për Amerikën. Ishte Presidenti Bill Clinton që dha pavarësinë Kosovës dhe ai është hero në Kosovë dhe mit ndër shqiptarët. Ishte presidenti Bush ( i riu) që e futi Shqipërinë në NATO dhe jemi mirënjohës, të gjithë Amerikës.

Po tani?

Pse ambasada hesht para një krimi të hapur dhe dhunues të kryeministrit Rama?! Pse nuk flet hapur se pse nuk u ndal akti makabër i qeverisë, kur ambasada flet edhe për një shashkë të ndonjë protestuesi opozitar kur hedh mbi policinë.

Nuk duam të besojmë ato që përfliten nëpër popull dhe koridore mediatike se kryeministri Rama ka futur në thes të gjithë.

Kjo është e rëndë si akuzë!

Kur erdhi ambasadorja e re të gjithë u lumturuam. Thamë se tani mafia, shkelja e ligjit, krimi që drejton vendin, korrupsioni,etj do të dridhen. Sepse kur flet ambasada të gjithë rrijnë gatitu. Se flet Amerika! Amerika mund të ketë interesa momentale në Ballkan, por kurrë ajo nuk falë kur rrënohet demokracia dhe kur mafia drejton shtetin.

Dhe sa për të shtuar; të gjithë politikanët në Shqipëri janë proamerikanë, të gjithë. Kështu “meraku” se pas ikjes së Ramës mund të ndryshojë politika shqiptare në raport me interesat amerikane dhe ato shqiptare, nuk duhet vënë aspak në diskutim. Rrëzimi i Teatrit si dhe dhuna, lanë shije jo të mirë në publikun shqiptar se përse nuk foli ambasada amerikane.

Nuk jemi me atë çka tha ish-ministri Manjani, dje. Amerika është Demokracia dhe Siguria për shiqptarët. Por përse u habitën njerëzit nga heshtja e gjatë e SHBA? Aq më shumë nga një reagim, të cilin nuk dinë as si ta lexojnë? Arsyeja është se SHBA është parë gjithmonë si lider në reagimet e saj për zhvillimet në vend. Sa herë ka ngjarje, SHBA reagon e para dhe më pas vijnë reagimet nga ambasadat e BE. Askush nuk di të thotë me saktësi se çfarë është biseduar mes Kim dhe Ramës. Por publikisht shihet se amerikanët nuk janë më si dikur.