Nga Mero Baze

Debatet brenda Këshillit Politik, që po dikton vendimet për reformën zgjedhore, janë treguesi kryesor se kush e ka vendimarrjen politike në opozitë. Ndërsa socialistët kanë pranuar tri kërkesat bazë të ODIHR, që kanë të bëjnë me depolitizimin e administratës zgjedhore, identifikimin elektronik të votuesve dhe Kolegjin Zgjedhor me gjyqtarë që kanë kaluar Vetingun, demokratët dhe përfaqësues të LSI në Këshill, janë të pasigurtë nëse konsensusi i tyre në tryezë do të ketë mbështetje politike nga dy faktorët kryesorë politik, që formalisht janë jashtë partive, Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Pas një sërë negociatash për një depolitizim të plotë të administratës zgjedhore, i cili kundërshtohet nga Partia Demokratike, socialistët kanë ofruar depolitizimin e komisioneve të qëndrave të votimit, duke i ndarë ata në dy pjesë, në trupën vendimarrëse, që do të përbëhet nga tre zyrtarë të depolitizuar, të zgjedhur me short, dhe nga vëzhguesit politik të partive, për formulën e të cilëve do të vendoset në Këshillin Politik.

Në këtë kuadër do të ketë dhe riorganizim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku do të ketë një kryeinspektor të zgjedhjeve, i cili do të jetë administratori i Komisionit të Zgjedhjeve, pastaj një trupë me 5 anëtarë që do të administrojë procesin, si dhe një Komision ankesash, që do të jetë shkalla e parë e ankimimit të zgjedhjeve.

Më tej socialistët kanë marrë përsipër të bëjnë identifikimin 100 për 100 elektronik të votuesve, që nënkupton se çdo votues duhet të identifikohet përmes kartës së identitetit, apo pasaportës biometrike, përmes një sistemi elektronik që konfirmon në moment identitetin e tij. Kjo shmang votimin familjar, që është një nga problemet e zgjedhjeve dhe votimin në mungesë, kryesisht të emigrantëve, që është shkak për manipulimin në disa zona të Shqipërisë.

Çështja e tretë, ka të bëjë me Kolegjin Zgjedhor, i cili është një mollë sherri mes PD dhe dhe PS. Partia Socialiste ka vendosur që Kolegji Zgjedhor të përbëhet nga gjyqtarë që kanë kaluar procesin e vetingut, si një standart që po i imponohet sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Demokratët për shumë kohë kanë kundërshtuar këtë klauzolë, duke kërkuar ose gjykim nga Gjykata Kushtetuese, ose një Kolegj Zgjedhor me gjyqtarë që nuk kanë kaluar vetingun.

Këto tre pika të nxehta kanë dominuar gjithë debatet mes dy partive gjatë kësaj periudhe, që kanë qenë pikat bazë të platformës së ODIHR.

Çështja e sistemit zgjedhor dhe propozimet për lista të hapura, ose korrektim propocional, i janë deleguar Këshillit Politik për ta vazhduar si debat pas 31 majit, për të mos kushtëzuar ndryshimet e detyrueshme në Kod deri më 31 maj.

Ndryshimi i sistemit duhet të jetë doemos konsensual së paku mes dy blloqeve politike, dhe ai tashmë është kthyer më shumë në një çështje të opinionit publik, se sa një problem real për zgjedhjet. Biles në këtë pikë, duke parë vendosmërinë e Bashës për të mos e ndryshuar sistemin, duket që ka një ndryshim qëndrimi nga Ilir Meta, i cili është gati ta diskutojë sistemin, vetëm se është i bindur se këtë gjë nuk e do Lulzim Basha. Kjo mund t’i vlejë dhe Berishës, i cili më 2017 e pa veten i 7-i në listë, dhe tani mund ta shikojë si pensionist, nëse Basha ndjehet i sigurtë me listat e mbyllura.

Nga debatet brenda Këshillit Politik, duket se dhe Partia Demokratike dhe LSI, janë afër dhënies së konsensusit për këto çështje, që janë baza e kërkesave të ODIHR për reformën zgjedhore, por vendimarrja e trye duket se është një proces më i gjatë se sa konsensusi në tryezën e ODIHR. Problemi kryesor qëndron tek fakti se Berisha dhe Meta mund të mos bien dakord për propozimet dhe gjithçka mund të kthehet në pikën zero, pas darkës së sotme.

Kjo nuk është se pengon shumicën t’i miratojë rekomandimet e ODIHR në Parlament, por identifikon problemin kryesor që ka opozita, faktin që vendimet duhet t’i marrë në dy nivele, në atë formal, që është në tavolinë, dhe në atë real, që është në Gjirin e Lalzit në dy vila afër njëri- tjetrës. Në një farë mënyre, kjo është dhe beteja reale e Lulzim Bashës, për të provuar nëse është i lirë në vendimarrjen e tij.

Fakti që Ilir Meta sot foli për prekje të sistemit, apo hapjen e listave, tregon se hendeku mes tyre, pas distancimit që Basha bëri nga platforma e Metës për modifikimet në reformën në drejtësi, është ende i madh dhe Meta po përpiqet të hakmerret duke tentuar t’i heqë nga duart pushtetn mbi listat në parti, që në fakt është i vetmi pushtet i Bashës.

Nëse kësaj mërie i bashkohet dhe Berisha, atëhere beteja për reformën zgjedhore mund të ketë dy palë krejt të tjera nga ato që shohim në tavolinë, si një betejë mes PS dhe PD nga një anë, dhe Berishës dhe Metës nga ana tjetër.