Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka sot një mesazh me rastin e 1 Qershorit, Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve. Në fjalën e tij, Ruçi nuk ka munguar që të përcjellë edhe mesazhe për palët politike, duke i ftuar që të ulen mëritë mes njëri- tjetrin, për të ardhmen e tyre. E ndërsa u ka bërë thirrje autoriteteve që në fillimin e vitit të ri shkollor të merren të gjitha masat që të kompesohen të gjitha mangësitë e këtij viti.
“Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, u uroj gjithë fëmijëve shqiptarë shëndet dhe gëzime, në familjet dhe shoqërinë e tyre. Ky 1 Qershor i gjeti fëmijët shqiptarë në dalje nga një gjendje e vështirë për ta, familjet dhe atdheun. Kopshtet dhe shkollat mbyllën dyert përkohësisht, për shkak të pandemisë. Vogëlushët shqiptarë, si miliarda vërsnikët e tyre në të gjithë botën, nuk shkojnë në shkollë, por zhvillojnë mësime nga shtëpia; janë të përmbajtur të përqafohen me gjyshet e gjyshërit; kanë të kufizuara lojrat me shoqet e shokët e tyre; dhe i janë nënshtruar një disipline që nuk është e zakonshme për ta. Por kjo ndodhi në emër të mbrojtjes së jetës së tyre. Tashmë që pandemisë po i vjen fundi, fëmijët do t’u kthehen jetës normale, mësimeve, lojrave dhe gëzimeve të saj.
Në mbledhjen e Grupit të deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”, para disa ditësh, porosita Qeverinë dhe deputetët të bëjnë kujdes që me fillimin e vitit të ri shkollor të marrin masa për të kompensuar të gjitha mangësitë e këtij semestri të vështirë, duke qenë të vetëdijshëm për mangësitë dhe pamjaftueshmërinë praktike të mësimit virtual; të sigurojnë mbështetje funksionale e produktive për fëmijët e familjeve të varfëra dhe me nevoja të veçanta; të marrin masa që shërbimet sociale për fëmijët dhe nënat të shtrihen në të gjitha bashkitë dhe në të gjithë territorin, sidomos në fshat; të përfundojnë reformën e deinstitucionalizimit të fëmijëve. Ne, shtetarët, qeveritarët dhe politikanët duhet të bëhemi të vetëdijshëm që të tresim mëritë dhe konfliktet tona, në emër të së ardhmes dhe buzëqeshjes së fëmijëve tanë.”, shkruan Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në mesazhin e tij me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve.