Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Belinda Ikonomi vizitoi sot Inspektoriatin Shtetëror të Punës nga ku pa ecurinë e shërbimeve të reja online të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Nga 1 janari 2020 Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka filluar procesin e shërbimeve online në 5 institucionet e saj. Janë rreth 201 shërbime të identifikuara për tu ofruar online nga institucionet e varësisë së MFE-së. Për këtë periudhë të vitit janë kryer 160 mijë aplikime online. Nga gjithë shërbimet e 5 institucioneve të varësisë së MFE-së, 72% e shërbimeve ofrohen online.

“Nga një analizë që kemi kryer, pothuajse 74 mijë qytetarë dhe biznese kanë përfituar nga ndërveprimi i institucioneve shtetërore, pa patur nevojë që qytetari të sigurojë dokumentacionin, por janë institucionet që sigurojnë të dhënat nga aksesi në databazat shtetërore, ose kanë komunikuar me institucionet e tjera në emër të qytetarit ose biznesit”, u shpreh zv/ministrja Ikonomi. Duke filluar nga data 30 qershor, edhe Inspektoriati i Punës do të ofrojë online 3 shërbimet më të kërkuara nga qytetarët. Tre shërbimet që do të ofrohen në e-Albania, lidhen me orët shtesë që subjektet ekonomike kërkojnë, lejet për të miturit dhe leja që marrin aktivitetet para se të nisin procesin e punës. Për këto tre shërbime deri sot operohej si përmes protokollit të institucionit ku biznesi vjen dhe sjell kërkesën me shkrim, ashtu edhe përmes faqes zyrtare të Inspektoriatit të Punës.

“Aplikimi përmes e-Albania është një mundësi e shtuar për bizneset, pasi ulet koha e marrjes së përgjigjes. Përmes nënshkrimit elektronik të 12 kryeinspektorëve rajonalë, tashmë ky shërbim do të ofrohet nga zyrat rajonale të cilat do ta trajtojnë me inspektim këtë rast’, u shpreh përfaqësuesja e IP. Pra nga 30 ditë për të marrë një përgjigje, theksoi ajo, tashmë biznesi do të marrë përgjigjen e aplikimit brenda 10 ditëve. Po ashtu, biznesi fiton edhe kohën që shpenzonte për të kryer procesin e marrjes s këtyre lejeve. Në kushtet e pandemisë, modaliteti online ishte një avantazh i rëndësishëm për vazhdimësinë e shërbimeve në përfitim për qytetarët shqiptarë.