Nënshkrimi i parë i madh i merkatos ende të pahapur të verës është bërë zyrtar. Mauro Icardi tashmë është në pronësi të PSG, pasi kaloi një vit huazim aty nga Interi dhe shënoi 20 gola në 31 ndeshje. Kjo është lëvizja e parë e rëndësishme në tregun e futbollit, nga e cila mund të nxirren disa përfundime, të kundrohet “efekti domino” i saj, të prognozojmë atë që e pret merkaton ndërkombëtare këtë verë.
1. Humbje e pothuajse 30% të çmimit Kur verën e kaluar, në prag të përfundimit të merkatos, PSG dhe Interi mbyllën huazimin e sulmuesit argjentinas, ato ranë dakord për një mundësi blerjeje prej 70 milionë eurosh. Në atë kohë dukej një çmim mjaft i mirë për një “9” të spikatur, i cili kishte shënuar pa fund gola me zikaltrit dhe apriori, siç ka ndodhur, do ta bënte këtë edhe në Francë. Por, nga ai 2 shtator 2019 deri më 31 maj 2020, nëntë muaj më vonë, shumëçka ka ndryshuar në pamjen ekonomike të klubeve. Klauzola e fillimit nuk ishte e mundshme në tregun aktual, ndaj erdhi marrëveshja përfundimtare e ulje çmimi prej 20 milionë euro. Icardi u ble për 50 milionë euro nga parizienët, plus 8 milionë të tjera në formë bonusesh. Kjo paraqet një rënie prej 30%, praktikisht, nga vlera e një viti më parë, një përqindje që mund të përcaktohet si pikë fillestare për atë që i pret ekipet e mëdha, që duan të planifikojnë blerje të mëdha.
2. Fuqia e PSG Ndërsa gjigantët e tjerë europianë, siç është Real Madridi, shikojnë nga merkatoja e verës me dyshimin për recession ekonomik, klubi i drejtuar nga Nasser Al-Khelaifi është i pari që lëviz, pa shtrënguar duart. 50 milionë, pra, së pari, edhe pse duhet mësuar forma e pagesës së kësaj shume, e cila mund të bëhet me disa këste. Sidoqoftë, kampioni i Ligue1 ka qenë gjithmonë në gjendje t’i përballojë krizat financiare.
3. Inter, Lautaro Martínez, Barça… “Operacioni Icardi” është plotësisht i pavarur nga largimi i Lautaro Martínez prej Interit. Shitja e Icardi e vendos Interin në një pozicion më të fortë për negociatat me Barçën. Zikaltrit kanë lëshuar tashmë disa paralajmërime se negociatat nuk do të jenë aq të lehta sa pritej. Klauzola prej 111 milionësh duket e tepërt në tregun aktual, ndaj Barça vazhdon përpjekjen që të përfshijë një lojtar të vetin në marrëveshje, me qëllim që ta bëjë atë më të lirë në “cash”. Interi, me goxha para në dispozicion dhe pa Icardi apo Lautaro, në rast se ky i fundit e zyrtarizon largimin, do të bëhej një subjekt i rëndësishëm në treg, duke kërkuar, mbi të gjitha, një sulmues për të shoqëruar Lukakun.
4. Cavani, një “9” falas PSG siguron me Icardi qendrën e “tridentit” të vet sulmues, me Neymar dhe Mbappé. Kontrata e Edinson Cavani në “Parce des Princes” përfundon brenda një muaji. Pavarësisht 33 viteve të tij, uruguajani është garanci e golit. Duke qenë lojtar i lirë, ai pëlqehet nga shumë ekipe. Interi mund të jetë më i interesuari, duke pasur parasysh përvojën e tij, por edhe një admirues i vjetër, Atlético Madrid, vigjëlon.
6. Bllokada e Juventusit Interi dëshiron të prishë dominimin e tetë viteve radhazi të Juves në Serie A. Ky antagonizëm maksimal do të bëhet konkret që kur të rifillojë sezoni në Itali, më 20 qershor. Në lojë është titulli kampion dhe Kupa e Italisë. Rivaliteti midis të dyja klubeve rritet. Presidenca kineze, e drejtuar nga Steven Zhang, është kujdesur që operacioni “Icardi” të neutralizojë shfrytëzimin e tij në Itali. Prandaj, një klauzolë shtesë prej 15 milionë eurosh është përfshirë në marrëveshjen me PSG, nëse 27-vjeçari nga Rosario përfundon te Juventusi, përpara se të përfundojë kontrata e tij, e nënshkruar me francezët deri në vitin 2024.