Mbi 5 mijë fermerë kanë aplikuar vetëm në 5 ditët e para (29 maj – 19 qershor) që është çelur aplikimi në Skemat Kombëtare të mbështetjes në bujqësi 2020. Skema Kombëtare e mbështetjes në bujqësi 2020, ka adresuar një fond prej 6.8 milionë euro nga buxheti i shtetit për subvencionimin e fermerëve dhe financon 7 masa, Tufa bazë e matrikulluar; Bletaria; Financime për zëvendësim plastmasi termik; Mbjellje bimësh mjekësore dhe aromatike; Mbështetje për fermat organike; Certifikimi Global Gap; Investo në agroturizëm dhe përfito 50% financim.
Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën të ditur se, fermerët këtë vit kanë aplikuar në e- Albania, vetëm kartë identiteti dhe numër NIPTI, me zero dokumente. Më pas inspektorët e AZHBR-së do të kryejnë inspektime në terren për të konstatuar realisht nëse e disponojnë tufën e blegtorisë që kanë vetë deklaruar, kosheret e bletëve që kanë vetë deklaruar, sipërfaqet e mbjella e kështu me radhë. AZHBR bën të ditur se, brenda vitit buxhetor 2020 do të lëvrojë fondet për fermerët fitues në Skemat Kombëtare të mbështetjes në bujqësi.