Në takimin e radhës të Komitetit Drejtues Sektorial për Reformën u mblodhën online rreth 80 aktorë të sistemit të ri të drejtësisë, akademisë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile. Fokusi i takimit ishte Draft-Raporti Vjetor i Monitorimit të Strategjisë Ndërsektoriale të Drejtësisë për periudhën Janar – Dhjetor 2019, si rezultat i një procesi të gjatë konsultimi me institucionet raportuese dhe shoqërinë civile sipas kritereve për transparencën dhe konsultimin publik.

Zv/ministrja e Drejtësisë, Fjoralba Caka u shpreh se, “diskutuam edhe punën mbi Planin e Veprimit të Strategjisë për Edukimin Ligjor të Publikut, si një prej produkteve tejet të nevojshme të paketës së Reformës në Drejtësi, me qëllimin e mirë për të rritur ndërgjegjësimin qytetar për rëndësinë e zbatimit të ligjit”. “Përgjatë një pune 6-mujore, Ministria e Drejtësisë ka hartuar draft-Planin e Veprimit për Edukimin Ligjor të Publikut 2020-2023, edhe falë një bashkëpunimi shumë të mirë profesional me institucionet publike anëtare të Strategjisë, por edhe kontributit të vyer të përfaqësuesve të shoqërisë civile aktive në fushën e zbatimit të ligjit”, tha ajo. Caka falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre të çmuar dhe të palodhur të këtij procesi tejet të rëndësishëm ndërinstitucional.