Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, tha sot se procesi i rindërtimit vijon normalisht, edhe pse në kohë pandemie, ndërsa shtoi se është gati projekti turk për rindërtimin e 500 banesave. Ministri Ahmetaj premtoi se të gjithë fëmijët do ta nisin vitin e ri shkollor në shkolla dhe kopshte të rindërtuara, si dhe do të hapen kantiere rindërtimi në zonat e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, për të krijuar një dimension të ri zhvillimi.
“Projekti i qeverisë turke është prezantuar publikisht. I kemi kaluar të gjitha fazat, që nga projekti i detajuar, deri te projekti me shpronësim. Në atë zonë do të ndërtohen 500 banesa, që do të kthehet në një zonë model. Vendimi i fundit ka të bëjë me përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e hartimit të projekteve për miratimin e lejeve të ndërtimit. Jemi duke kaluar tashmë në projektimin e detajuar të infrastrukturës në të gjithë zonën e dëmtuar.
Edhe pse në kohë pandemie, që ka shkaktuar ndërprerje të punës normale dhe vonesa të një sërë procesesh në çdo vend të botës, ne kemi avancuar thuajse me ritme normale për procesin e rindërtimit, për rikthimin e qytetarëve në shtëpitë e reja, që padyshim do të jenë më të sigurta se ato që u dëmtuan. Do iu mundësojmë fëmijëve të nisin vitin e ri shkollor në shkolla dhe kopshte të rindërtuara, si dhe për të hapur kantiere rindërtimi, për të krijuar një dimension të ri të zhvillimit. Bashkia e Shijakut është e para ku qytetarët e saj përfitojnë nga programi i granteve. Shpërndarja e fondit për qytetarët do të fillojë që ditën e premte”, tha Ahmetaj.