Një avion i kompanisë “Air France” nga Parisi u ul sot në Shanghai, duke shënuar kështu rifillimin gradual të fluturimeve drejt Kinës, pas pesë muajsh ndërprerje për shkak të COVID-19, njoftoi transportuesi. Tre të katërtat e pasagjerëve ishin kinezë, pjesa tjetër ishin kryesisht francezë dhe europianë të tjerë.
“Avioni i parë, sinonim i rifillimit të fluturimeve të rregullta të “Air France”, u ul në mënyrë të sigurt në Shanghai”, tha kompania në rrjetin social kinez Weibo. Ky ishte fluturimi i parë i rregullt tregtar nga një kompani europiane për në Kinë, në disa muaj. Kina, vendi i parë i goditur nga COVID-19, uli në mënyrë drastike lidhjet e saj me pjesën tjetër të botës në fund të marsit nga frika e infektimeve të mëtejshme. Megjithatë, nga 8 qershori, ajo i autorizoi kompanitë e huaja të rifillojnë një numër të kufizuar fluturimesh.