Gjiri i Lalzit, i shtrirë në bregdetin e Adriatikut midis Kepit të Rodonit në veri dhe Bishtit të Pallës në jug, në Durrës, ishte sot në qendër të një aksioni pastrimi. Prefekti i qarkut të Durrësit, Roland Nasto, në një intervistë për ATSH-në, e cila ka ndjekur nga afër këtë aksion, tha se “deri në fund të qershorit do të vazhdojmë me aksionin për ruajtjen dhe pastrimin e mjedisit në Gjirin e Lalzit”.

“Ne kemi menduar si qark që këto ditë të vazhdojmë pastrimin në Gjirin e Lalzit, pasi është një gji që do t’i shërbejë sezonit turistik dhe ne shumë shpejt presim të na vijnë turistë. Sot kemi menduar të pastrojmë gjithë territorin e këtij gjiri”, – nënvizoi prefekti për ATSH.

Sipas tij, në këtë aksion marrin pjesë 12 ndërmarrje, bashkë me institucionet. I pyetur nga ATSH, përse zgjodhën zonën e Gjirit të Lalzit, prefekti Nasto u shpreh se “është një zonë e papastruar dhe pa u vënë dorë fare. Jemi në sezon turistik dhe ne do ta bëjmë sa më të pastër këtë zonë për t’i shërbyer pushuesve që presim të vijnë”.

Lidhur me pikat e tjera ku do të shtrihet ky aksion pas Gjirit të Lalzit, prefekti Nasto tha se “ne mendojmë të shikojmë të gjitha rrugët në zonën mbrapa gjirit të Lalzit, pyllin, sepse edhe aty kemi shumë plehra të hedhura dhe një ditë tjetër do të zhvillojmë një aksion tjetër pastrimi”. Prefekti bëri të ditur se aksioni do të shtrihet në të gjithë vijën bregdetarë të Durrësit.

Sa i përket respektimit të masave nga ana e punonjësve që po kryejnë pastrimin, Nasto tha se “i paralajmëruan të gjithë punonjësit për masat gjatë punës, që të mos afrohen me njëri-tjetrin, por të mbajnë distancat sipas protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë, që janë bërë tashmë të ditura dhe të gjithë duhet t’i zbatojmë”.

Prefekti Nasto duke i drejtuar një mesazh sensibilizimi qytetarëve theksoi se “ qytetarët duhet të respektojnë masat kundër COVID-19, të mbajnë distancën për të ruajtur veten, familjen, shoqërinë. Të mbajnë sa më pastër vendin ku do të bëjnë plazh”

Marrë nga ATA