Nga Artur Ajazi

Që Partia Demokratike, është një strukturë politike që punon mbi “burime të sigurta zyrtare” kjo dihet, dhe që ka akoma brënda saj “shërbime të besueshme” policore, agjenturore, shëndetsore, arsimore, etj, edhe kjo dihet. Një prej këtyre “shërbimeve të fshehta” që funksionojnë në Partinë Demokratike, dje shpalli si “gjendje alarmante” situatën në të cilën ndodhet sipas tyre vendi, nisur kjo nga rritja e numrit të personave të prekur nga COVID-19. Edhe dje “doktorrët” e SHQUP-it, që po e ruajnë me “fanatizëm” oborrin dhe personelin e partisë për të mos u prekur nga corona, dolën dhe folën si “e ëma e Zeqos majë PD”.

Shefi “doktorrëve” të asaj partie Bardh Spahia (dhe jo Tritan Shehu) nuk përton të dalë menjëherë sapo kapet dhe zbulohet ndonjë person i prekur, dhe nis të sulmojë qeverinë. Merakun e tij në fakt e ka me kryeministrin Rama, dhe ministren e Shëndetsisë. Shërbimet e “fshehta” brënda SHQUP-it, dje kishin zbuluar se “COVID-19, ka mbërritur edhe në kryeministri”.

Ky në fakt ishte “scoop më i fundit i doktorr” Spahisë. Qysh nga fillimi i epidemisë “doktorr” Spahia ka patur fatin e madh të jetë emëruar nga Lulzim Basha si “njeriu adap” për t’u përballur me qeverinë , kryeministrin dhe ministren e Shëndetsisë, madje duke kontestuar edhe ISHP, në masat e marra, testimet e kryera, dhe transparencën e treguar në raportimin publik.

Herë qesharak dhe herë i turpëruar para shqiptarëve për çfarë flet, “doktorri” SHQUP-it, ngatërron me dashje misionin e tij si mjek dhe detyrën si politikan, apo sejmen i kryetarit. Ai nuk lë rast pa dalë në podin e Partisë Demokratike, për të denoncuar dhe akuzuar qeverinë dhe ministrinë e linjës, nuk lë rast pa shpifur mbi “numrin e lartë, fshehjen e të dhënave” nga qeveria, për të përmbushur detyrimet e tij partiake.

Në asnjë rast të vetëm, “doktorrët” e SHQUP-it, nuk kanë qenë seriozë të paktën në shpifjet e tyre , pasi në raportimet reale nuk bëhet fjalë. Përgjatë 4 muajve të epidemisë nga COVID- 19, qeveria dhe ministria e Shëndetsisë, bashkë me strukturat e tjera vartëse, kanë qenë në korrent të gjithçkaje që ka ndodhur, e vazhdon të ndodhë lidhur me situatën ditë pas dite, në çdo qytet të vendit.

Të zhbësh kontributin dhe punën e palodhur të një ekipi të mrekullueshëm mjekësh, infermierësh, sanitarësh dhe drejtuesish të sektorit të shëndetsisë, të zhbësh dhe mohosh, vlerat e specialistëve dhe epidemiologëve tanë, dhe të deklarosh se “ne doktorrët e PD, do të kishim vepruar ndryshe” në një kohë që ju nuk ruani dot, as SHQUP-in nga coronavirusi, do të thotë se jeni hipokritë, tinzarë, dhe dashakeqës.

Ju jeni aleatë të COVID-19, ju jeni me “armikun” e kësaj lufte, ndryshe nuk do të përhapnit vetëm panik tek shqiptarët. Ju në këtë luftë, nuk ishit dhe nuk jeni me solidaritetin, pasi kërkoni edhe në momente të tilla vetëm pushtetin. Doktorr Spahia, aman ruani SHQUP-in nga COVID-19, lëre kryeministrinë, lëre ministrinë, rëndësi ka partia, atë të keni të fortë…jo jeta e shqiptarëve.