Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka folur për temat më të rëndësishme në vend.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka folur për zhvillimet e fundit politike në vend, për ish-qeverinë Kurti, për Qeverinë Hoti, për takimin në Washington ndërmjet Kosovës e Serbisë, për luftën kundër korrupsionit, për vettingun e mundshëm në sistemin e drejtësisë, për ndihmën amerikane në luftën kundër COVID-19 si dhe për marrëdhëniet Kosovë–ShBA.

Ambasadori ka sqaruar se takimi i thirrur nga i emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë është shumë i rëndësishëm për Kosovën, Serbinë dhe rajonin.

Telegrafi: I emëruari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ka thënë se zyrtarët e këtyre dy vendeve janë pajtuar për një takim në fund të muajit qershor, cili është komenti juaj?

Kosnett: Nuk kam ndonjë informacion më specifik apo detaje sesa njoftimi i ambasadorit Grenell sa i përket agjendës apo pjesëmarrjes në takim. Por, më lejo të them se unë mendoj që ky takim në Washington është një mundësi e rëndësishme për Kosovën, Serbinë dhe regjionin. Normalisht ka shumë kureshtje se çfarë do të diskutojnë liderët, çfarë mund të jetë përfundimi, do të ketë shumë spekulime dhe pyetje hipotetike prej tani e deri në kohën e takimit, dhe unë do të distancohem nga spekulimet dhe rrethanat hipotetike. Dhe dua ta theksoj se qeveria ime ka folur për këtë që një kohë të gjatë – rreth dy vite – ne mendojmë se është e rëndësishme të sjellim energji të re në procesin e diskutimeve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe në veçanti jemi të fokusuar në çështjet që do të ndikojnë në jetët e përditshme të qytetarëve. Dhe ne mendojmë që tregtia dhe zhvillimi ekonomik është i rëndësishëm për qytetarët e dy vendeve. Mendoj se këtë e kemi parë gjatë pandemisë, se të gjithë jemi ballafaquar me kërcënime internacionale, globale (që nuk ndalen nëpër kufij). Dhe qeveritë mund të jenë më së shumti efektive, kur janë të gatshme të flasin me fqinjët dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë për t’i zgjidhur këto probleme. Prandaj, do të dëshiroja që takimin në Washington ta shohim nga kjo pikëpamje, si mundësi për ta përmirësuar jetën e qytetarëve.

Telegrafi: A mund të ketë marrëveshje finale brenda këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, temë kjo që ju intereson të gjithëve në Kosovë e rajon?
Kosnett: Nuk mendoj se e dimë. Ambasadori Grenell ka thënë se nuk ka ndonjë afat…por procesi duhet të vazhdojë më shpejt dhe Kosova e Serbia kanë humbur shumë kohë përgjatë viteve dhe është në interes të dy shteteve dhe SHBA-së, por edhe partnerëve tjerë ndërkombëtarë, duke përfshirë Bashkimin Evropian që të ecim drejt veprimeve konkrete dhe sukseseve. Dhe nuk mund të them më shumë se kaq për momentin. Pra, në këtë rrugëtim do të jemi bashkë.

Telegrafi: Si e vlerësoni situatën e krijuar që brenda pak kohe kishim dy qeveri të reja të votuara në Parlamentin e Kosovës?
Kosnett: Kosova e ka një demokraci shumë aktive, vibrante dhe të përbërë nga shumë parti. Ju e dini historinë e politikës së Kosovës – politikanët vijnë e shkojnë dhe ndonjëherë nuk mbesin shumë gjatë. Unë mendoj se aspekti pozitiv i kësaj është se ka shumë parti që përfaqësojnë pikëpamje të ndryshme, elemente të ndryshme të popullsisë dhe shumëllojshmërinë e pikëpamjeve që e fusin në sistem. Tani, një gjë që dua ta them është se në Kosovë, sikurse në shtetet tjera – por edhe në SHBA, politikanët duken më të fokusuar në politikë sesa në qeverisje dhe duken më të interesuar në sulmimin dhe ofendimin e njëri-tjetrit sesa në diskutimin e politikave, dhe çfarë politika apo masa mund të jenë fitimprurëse për qytetarët e Kosovës. Por siç e thashë, kjo nuk është diçka unike për Kosovën sepse këtë problem e kemi edhe në vendin tonë. Por është një problem serioz dhe mendoj se qytetarët e Kosovës e kanë bërë të qartë gjatë tetorit të vitit të kaluar se e duan ndryshimin dhe se u intereson zhvillimi ekonomik, ju intereson luftimi i korrupsionit, ju intereson krijimi i mundësive për të rinjtë. Ne plotësisht e mbështesim këtë dhe prioritet e SHBA-së mbesin të njëjtat, pavarësisht se cilat parti e qeverisin vendin. Prioritetet tona janë për të inkurajuar paqen mes Kosovës dhe shteteve fqinje, por edhe paqen mes komuniteteve brenda Kosovës. Prioritet i joni është promovimi i zhvillimit ekonomik dhe kjo nuk përfshin vetëm investimet, por edhe energjizimi i sektorit privat. Dhe më e rëndësishmja, luftimi i korrupsionit dhe ndërtimi i sundimit të ligjit. Të gjitha këto çështje janë të ndërlidhura. Nëse duam të shohim më shumë investime të huaja në Kosovë, është e rëndësishme që investitorët të shohin se shteti është stabil politikisht dhe se është një sistem i drejtësisë të cilit mund t’i besohet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë investuar shumë për 20 vite tani në ndërtimin e institucioneve në Kosovë. Ne kemi departamentin e drejtësisë, avokatë, kemi profesionistë nga policia dhe departamenti i shtetit, nga MCC-ja dhe agjenci tjera. Dhe puna e tyre nuk është vetëm për të hedhur para në Kosovë, por puna e tyre është t’i ndihmojnë kosovarët të ndërtojnë aftësi – aftësi ekonomike, institucione të drejtësisë, të ndërtojnë stabilitet politik, të gjejnë mënyra për t’i promovuar raportet mes komuniteteve në mënyrë që qytetarët e Kosovës ta kenë një të ardhme më të mirë, sepse sistemi që është vendosur përgjatë 20 viteve të fundit, i cili varet shumë nga ndihmat ekonomike përtej oqeanit, nuk mund të zgjatë përgjithmonë. Unë mendoj se SHBA dhe Kosova do të jenë partnerë për një kohë shumë shumë të gjatë – nuk kam ndonjë dyshim për forcën fundamentale të këtij partneriteti. Por do të forcohet vetëm nëse Kosova bëhet më pak e varur nga SHBA dhe nga partnerët tjerë ndërkombëtarë dhe është më e aftë ta zhvillojë veten për të ardhmen.

Telergafi: Kishim një mocion të mosbesimit ndaj qeverisë Kurti dhe qytetarët dolën edhe në protesta për këtë, cili është juaj? Kosnett: Unë mendoj se është normale dhe e shëndetshme që njerëzit të marrin pjesë në protesta paqësore – kjo është pjesë e demokracisë. Qartësisht ka shumë njerëz që e kanë mbështetur qeverinë e kaluar dhe ka tjerë që nuk e kanë mbështetur qeverinë e kaluar dhe që nuk kanë votuar për Vetëvendosjen p.sh. dhe që nuk kanë qenë të lumtur me mocionin e mosbesimit. Mendoj se ajo çfarë është e rëndësishme të fokusohemi tani, është përgjegjësia e qeverisë Hoti për t’i përmbushur nevojat e qytetarëve të Kosovës. Dhe këtë e kam dëgjuar nga kryeministri dhe tjerët se e kuptojnë që pritshmëritë nga qeveria janë shumë të larta dhe besoj se ka disa hapa që LVV dhe LDK i kanë marrë, e të cilat qeveria e re duhet t’i vazhdojë. Ata nuk duhet ta hedhin poshtë menjëherë atë se çfarë ka bërë qeveria e kaluar. Normalisht se do t’i zhvillojnë politikat e tyre – veçse e kanë programin e tyre – por prapëseprapë mendoj se qytetarët e Kosovës duan zgjidhjen e problemeve, duan veprime dhe nuk duan fjalë. E kjo është e vërtetë në fushën diplomatike dhe në atë të qeverisjes. Unë dua të shtoj edhe diçka rreth kësaj. Kur njerëzit si unë flasin se çfarë i duhet Kosovës, se si duhet zgjidhur problemet e Kosovës, unë nuk dua të sugjeroj se Amerika i ka të gjitha përgjigjet sepse Amerika është duke u ballafaquar me problemet e veta sociale, me problemet e veta ekonomike – ju e dini se çështja e relacioneve të racave në SHBA është shumë më e thellë. Ne kemi qenë duke luftuar me shekuj të tërë për të provuar të ndërtojmë një shoqëri me drejtësi, barazi dhe mundësi të barabarta për secilin. Prandaj nuk dua të sugjeroj se kjo është e thjeshtë, sepse nuk është. Eksperienca ime në jetë është se njerëzit zakonisht nuk mësojnë nga gabimet e tjerëve por vetëm nga të vetat, por unë shpresoj se Kosova mund ta sheh përvojën e SHBA-së dhe ta sheh rëndësinë e zgjidhjes së këtyre problemeve. Ka shumë njerëz të bardhë e të zi që realisht asnjëherë nuk kanë pasur mundësinë ta njohin një person të racës tjetër, ka shqiptarë e serbë në Kosovë që në plot kuptimin e fjalës asnjëherë nuk janë takuar me komunitetin tjetër dhe unë mendoj se ky është problem i vërtetë për paqe dhe stabilitet në Kosovë, dhe shpresoj se liderët e Kosovës, duke i përfshirë ata të shoqërisë civile dhe liderët religjiozë, mund të gjejnë mënyra për t’i thyer barrierat mes komuniteteve.