Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf pati sot një shkëmbim mendimesh rreth gjendjes aktuale të COVID-19 me Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Zingraf solli në vëmendje mbështetjen gjermane dhe evropiane, të deritanishme e në vazhdim për zbutjen e pasojave të pandemisë.
“Shkëmbimi mes Gjermanisë dhe Shqipërisë lidhur me pandeminë e Corona-Virus është i ngushtë dhe besimplotë. Me qëllim që të luftojmë në mënyrë të suksesshme virusin, do të duhej që secili/a prej nesh të japë kontributin e vet. Duhet që edhe më tej”, – shtoi ai, – “të jemi të kufizuar dhe të kujdesshëm, pasi virusi vazhdon ende të jetë mes nesh, rreziku është ende i pranishëm. Ndaj ju lutem vazhdoni të tregoni kujdes, ruani distancën, ruani veten dhe të tjerët! Përndryshe rrezikojmë jo vetëm shëndetin e të gjithëve, por edhe vendet e punës dhe rekuperimin e ekonomisë shqiptare. Përpara sezonit të turizmit veror agjensitë e udhëtimeve dhe vizitorët potencialë shohin me kujdes se si janë duke u zbatuar masat e mbrojtjes ndaj Corona-Virus në vendet e destinacionit”, – ishte mesazhi i ambasadorit gjerman, gjatë takimit të sotëm me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manasterliu.