Ekonomia botërore po përballet me humbje të thella dhe rimëkëmbja do të pengohet nga mungesa e fondeve për të riparuar dëmet e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, paralajmëroi sot presidenti i Bankës Botërore, David Malpass.

“Shkalla e krizës do t’i detyrojë vendet në zhvillim ta rimendojnë vetë strukturën e ekonomisë së tyre”, tha kreu i BB-së, institucioni i të cilit ka shpenzuar 160 miliardë dollarë në ndihmë emergjente për rreth 100 shtete.

“Nëse ekonomitë më të përparuara do të sjellin recesionet më të këqija përsa i përket përqindjes, në të vërtetë janë vendet më të varfra që do të përballen me kontraktimet më të rrezikshme, sepse ato tashmë ishin afër vijës së varfërisë që para pandemisë”, këmbënguli Malpass.

Sipas tij, efekti shkatërrues i pandemisë së COVID-19 në ekonominë botërore është shumë më i madh se pasuria e shkatërruar, 5 000 miliardë dollarë, e përmendur në një vlerësim të parë të dëmit.

Banka Botërore do të lëshojë shifrat e rishikuara të perspektivës ekonomike javën e ardhshme, por shifrat vetëm nuk janë në gjendje të japin një ide mbi shkallën e katastrofës.