Nga Artur Ajazi Nuk e di përse është e nevojshme që një kryetar partie, të rikthehet në afro 2 dekada kohë pas, duke nisur fushatën elektorale, “derë më derë” dhe biznes më biznes, kur shqiptarët e kanë kaluar fazën e “pubertetit”. Pra shqiptarët e kanë kaluar fazën e bërjes së fushatave “kokë më kokë” dhe derë më derë, pasi edhe sikur tu shkosh 1001 herë në banesa dhe biznese, dhe tu premtosh “pjata floriri” ata e kanë mbledhur mëndjen top. Shqiptarët janë të vetëdijshëm se vetëm shteti ligjor, se vetëm zbatimi i ligjit, se vetëm ndëshkimi atyre që thërrmuan pasuritë e vendit dhe grabitën miliona, është rruga e vetme.
Lulzim Basha ka nisur të dalë “derë më derë”, nuk po lë lokal, biznes dhe treg ushqimor dhe industrial pa shkelur, duke bërë fushatë të re, me metodë të vjetër. Zoti Basha në fakt, nuk po u sqaron tregëtarëve as marrëveshjen e re me shumicën qeverisëse, as përfitimet që ka PD nga ajo marrëveshje, por thjesht po u tregon në “3D” parajsën që ata do të kenë (pas 2030) kur të jetë ai kryeministër. Zoti Basha, nuk po u tregon tregëtarëve as për listën e kandidatëve të rinj, që ai vetë firmos dhe vetë vulos, paçka se thotë se “do ti vendosë baza”.Po cila bazë, a ka mbetur më njeri në bazë, tuaj zoti Basha?
Gjithashtu kryetari i demokratikasve, nuk po u tregon biznesmenëve dhe tregëtarëve se si do të vijë në pushtet, duke bashkëqeverisur sërish me socialistët, duke pritur të qeverisë me lësëistët, apo duke shpresuar se shqiptarët do ti japin 99.99 per qind të votave si në 26 Majin e 1996 ? Por Lulzim Basha nuk ndalet, ai e ka vendosur, ka dalë të psonisë vota, dhe nuk pyet shumë për “pengesat” që i vijnë nga të “shiturit”. Thonë se zoti Basha daljen live me video nga bizneset dhe sidomos nga lokalet ku gatuhen prodhimet “tradicionale” e ka këshillë nga “udhëheqësi”, sipas të cilit “duhet të “ulesh këmbëkryq me popullin, të fitosh pushtetin”.
Por ajo që zoti Basha ka harruar, është fakti se “dy herë në të njëjtën rrugë, nuk kalon dot”. Nuk mund të bësh fushatë elektorale me “bugaçe” dhe “tavë kosi”, me premtimet e 2017, apo me idenë gjeniale “të bërjes së listave nga baza” në 2020-2021. Gjithçka ka ndryshuar, kanë rrjedhur shumë “ujëra” nga ajo kohë, paçka se në Partinë Demokratike nuk ka lëvizur asgjë. Është e njëjta “frymë”, është e njëjta situatë si në oborrin e SHQUP-it,ashtu dhe brënda zyrtave të partisë, janë të njëjtët njerës me të njëjtin mentalitet, janë të njëjta struktura dhe forume, pa as më të voglin ndryshim sikurse ishin 20 e ca vjet më parë.Është i njëjti “udhëheqës”, që mendon, shikon, drejton dhe ndëshkon, ata që nuk i binden, ata që duan “europianizimin e partisë” ashtu sikurse pretendonte dikur edhe Lulzimi. Kështu që, mirë bën zoti Basha, që del dhe “psonis” vota, edhe pse fushata elektorale kërkon edhe 10 muaj kohë. Për ty dhe më shumë për “udhëheqësin”, “votat” e tanishme vlejnë më shumë se ato të ditës së votimit. Të paktën sot nuk “ti vjedhin dhe nuk ti blejnë votat ”, ndaj ndjehesh edhe më shumë se kurrë kryeministër