Gareth Bale nuk do të largohet nga Real Madrid dhe nuk ka ndërmend të kthehet në Premier League, të paktën jo tani. Menaxheri i tij, Jonathan Barnett ka folur për të ardhmen e uellsianit dhe për tema të ndryshme aktuale të futbollit edhe për sa i takon rrogave dhe vlerës së merkatos pas krizës së krijuar nga emergjenca coronavirus.

“Bale është i lumtur te Real Madrid, pse duhet të largohet? E kam thënë disa herë, kthimi në Premier League do të ishte një gjë e madhe, por nuk do ta bëjë tani sepse ndihet mirë në Madrid”, ka thënë Barnett për BBC. Në lidhje me rrogat dhe pasojat e mundshme të krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia: “Mendoj se do të ketë një rënie të vlerës së merkatos dhe të operacioneve që do të bëhen, por gjërat do të kthehen në normalitet më pas”.

“Sapo të kthehen ndeshjen, me të drejtat televizive dhe tifozët që do të kthehen në stadium, gjithçka do të jetë si më parë. Shkurtimi i rrogave? Ka disa kontrata dhe nuk mendoj se do të ketë reduktime”. “Unë mendoj se klubet duhet të bëjnë një punë më të mirë në menaxhimin e financave të tyre”, ka përfunduar Barnett.