Linja e re e transmetimit që lidh Ujëmbledhësin e Bovillës me Impiantin e trajtimit të ujit në Bovillë, ka përfunduar dhe është gati për kryerjen e lidhjeve finale të pikave të takimit. Linja është e gjatë 10 km dhe do të transmetojë 1800 litra ujë në sekondë, pra dyfishon e sasinë e ujit që shkon për trajtim në Impiantin e Bovillës. Kështu, me shtimin e sasisë së ujit në trajtim pritet një rritje e ndjeshme e orareve të furnizimit me ujë të pijshëm në pjesën më të madhe të kryeqytetit.
Kjo linjë, me diametër DN900, prej gize sferoidale, është ndërtuar paralelisht me linjën ekzistuese, duke shtuar një tjetër arterie kryesore furnizuese për qytetin. Pika e takimit të saj, pranë ujëmbledhësit, do të kryhet përmes kolektorit kryesor të liqenit, ndërkohë që pika e takimit pranë Impiantit do të bëhet përmes një by pass-i të dedikuar.
Njoftojmë qytetarët e Tiranës se gjatë ditës së Shtunë, dt. 06.06.2020, është parashikuar kryerja e punimeve për lidhjen e linjës me ujëmbledhësin dhe Impiantin e Bovillës. Për këtë arsye, kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë banorëve për kufizimet e furnizimit me ujë, që do të ndodhin gjatë kësaj fundjave.
Punimet do të fillojnë që në orët e para të mëngjesit, duke angazhuar në terren të gjithë stafin e ekspertëve të UKT-së, në mënyrë që të sigurojmë finalizimin në kohë rekord të tyre, me qëllim normalizimin sa më shpejt të furnizimit me ujë.
Ujësjellësi i Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar furnizim të qëndrueshëm, gjatë fundjavës, për institucione të rëndësisë së veçantë si spitalet, urgjenca mjekësore, burgjet etj. Ndërkohë, sugjerojmë që qytetarët të marrin masa për të mirë-administruar depozitat personale apo të godinës ku banojnë.