Bashkimi Evropian, këtë vit, është në prag të arritjes së një marrëveshjeje historike mes Kosovës dhe Serbisë, por ekzistojnë dy pengesa të mëdha që qëndrojnë në këtë rrugë, dhe çuditërisht, ato mund të mos gjenden në Beograd dhe Prishtinë, por më shumë në Paris dhe Uashington. Kanë kaluar më shumë se dy muaj, prej se BE-ja e emëroi ish-ministrin e jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak, si përfaqësuesin e saj të posaçëm për dialogun. Kjo është hera e parë që BE-ja emëron një zyrtar me këtë përgjegjësi.
Dialogu ka filluar në vitin 2011 por gjatë pesë viteve ka prodhuar pak rezultate për zgjidhjen e çështjeve midis Serbisë dhe Kosovës. Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, sikurse nuk e njohin as pesë vende anëtare të BE-së, kryesisht për shkak të çështjeve të tyre të brendshme, ose të raporteve me fqinjët. Por, zyrtarët e BE-së besojnë se tani ekziston momenti për të arritur një marrëveshje, që mund të hapë rrugën për të dyja vendet të anëtarësohen përfundimisht në BE. Me lehtësimin e masave kundër pandemisë së COVID-19, Lajçak dukej i vendosur që këtë muaj, që të udhëtojë në rajon, për herë të parë në rolin e tij të ri.
Në fjalimin e tij, drejtuar ambasadorëve të BE-së, në fillim të kësaj jave, tha “rifilloni dialogun me qëllimin e qartë, për ta përmbyllur atë me një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese që normalizon marrëdhëniet midis dy kombeve të Ballkanit Perëndimor dhe e cila zgjidh të gjitha çështjet një herë e përgjithmonë”. Sipas disa zyrtarëve që kanë njohuri me procesin, ky proces do të zgjasë me “muaj dhe jo vite”. Sesi do të duket “normalizimi” dhe nëse në të vërtetë nënkupton “njohje reciproke” ende nuk dihet. Por, tashmë janë të qarta disa elemente themelore. Nëse nuk ka marrëveshje, nuk ka të ardhme evropiane për asnjëren nga këto vende dhe BE-ja nuk do të pranojë anëtarë të rinj, me çështje të pazgjidhura dypalëshe. Të gjitha vendet anëtare të BE-së, gjithashtu po e hedhin poshtë idenë e shkëmbimeve të mundshme territoriale, midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo ide është përmendur me vite dhe ajo do t’i bënte më homogjene këto dy vende, në aspektin etnik.
Derisa kemi një ngazëllim, por edhe një ndërtim të një “momentumi” në Bruksel, reagimi në Prishtinë dhe Beograd është i vakët. Presidenti serb, Aleksander Vuçiq, ka thënë se ai është i gatshëm të flasë, por në të njëjtën kohë ka thënë, se ai nuk sheh ndonjë plan të ri në tryezë, apo vendosmëri që bisedimet të rifillojë. Kjo deklaratë nuk është asgjë në krahasim me qëndrimet në Kosovë. Kryeministri i sapozgjedhur, Avdullah Hoti, ka shprehur gatishmërinë për t’u angazhuar në dialog. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njëherësh, kryenegociator i Prishtinës, deri më tani, e ka kundërshtuar disa herë rolin e Lajçakut, duke deklaruar në media se ai nuk do të marrë pjesë në dialogun në Bruksel. I dërguari i BE-së, Lajçak dhe eprori i tij, shefi i politikës së jashtme të BE-së, spanjolli Josep Borrell, vijnë nga vendet që nuk e njohin Kosovën. Kjo, thjesht nuk i ka konvenuar Kosovës.
Lajçaku bëri një reagim të shpejt dhe kundërshtues ndaj vendimit të qeverisë së kaluar të Kosovës, e cila vendosi të ndalojë hyrjen e mallrave serbe, të cilat nuk posedojnë dokumente që i referohen Kosovës me emrin e saj kushtetues, Republika e Kosovës. Ky vendim, sikurse tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe, e cila tashmë është shfuqizuar, erdhën pasi Beogradi u angazhua në një fushatë mjaft të suksesshme globale për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Kjo fushatë, deri më tani, ka ndaluar që Kosova të anëtarësohet në organizatat ndërkombëtare si UNESCO dhe Interpol.
Pikërisht në këtë pikë, BE-ja po pret që të përshpejtojë lojën e saj. Zyrtarët e BE-së pretendojnë se Serbia ka pranuar të mos e vazhdojë me fushatën e saj kundër Kosovës, si një gjest i vullnetit të mirë për të mundësuar rifillimin e dialogut. Por, nevojiten më shumë nga Brukseli, veçanërisht nga Franca për të vendosur me të vërtetë “topin në fushë”. Tashmë nuk është fshehtësi që Parisi nuk tregon interesim për zgjerimin e mëtejshëm të BE-së, duke bllokuar shumë herë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe duke detyruar Brukselin t’i bëjë më burokratike bisedimet e ardhshme të pranimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Parisi duhet të tregojë, se është i gatshëm dhe serioz në lidhje me shpejtimin e bisedimeve të pranimit me Serbinë, nëse Beogradi është i gatshëm të bëjë një marrëveshje me Prishtinën. Dhe për Kosovën, duhet të heqë kundërshtimin ndaj liberalizimit të vizave. Si i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit akoma nuk gëzojnë udhëtimin pa viza në bllok, ky është një burim kryesor irritimi në Kosovë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron e mban çelësin. Sidomos tani, kur zyrtarët e BE-së e pranojnë se çështja është në të vërtetë politike dhe jo teknike, siç kanë deklaruar më parë.
Megjithatë, tash dilema më e madhe është si të veprohet me Uashingtonin.
Si duket ka një dialog paralel që drejtohet nga i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell. Por, askush nuk është i interesuar ta pranojë këtë fakt.
Derisa BE-ja ishte e zënë në përpjekjet për të rënë dakord për një përfaqësues të posaçëm, Grenell ishte i zënë me arritjen e marrëveshjeve për hekurudhat dhe linjën ajrore mes Kosovës dhe Serbisë.
Nuk është fshehtësi se presidenti Trump do të dëshironte një sukses të politikës së jashtme, përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit dhe ky mund të ishte momenti i tij.
Është shqetësuese që Grenelli dhe Lajçaku, nuk kanë biseduar ende me njëri-tjetrin dhe zyrtarët e BE-së e kanë pranuar se ata dinë shumë pak për planet e SHBA-së, kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën.
Ekzistojnë zëra nga Brukseli që thonë se “ne në BE nuk jemi këtu sa për të bërë një fotografi dhe ne nuk po kandidojmë në zgjedhje së shpejti”.
Megjithatë, politika perëndimore në Ballkanin Perëndimor ka qenë e suksesshme vetëm kur qasja e butë e BE-së dhe ajo e fortë e SHBA-së kishin të njëjtin qëllim. Pyetja, tani për tani, është nëse ato kanë ndonjë qëllim të përbashkët./REL