Pamje e një fragmenti të Biblës së parë të shtypur nga Johannes Gutenbergu në vitin 1455. Sot ky fragment ndodhet në bibliotekën e Universitetit Princeton, SHBA.

Deklarimi i pasurisë së deputetit Viktor Medvedçuk i ka befasuar shkencëtarët: Politikani posedon një fragment të një Bible të Gutenbergut. Si erdhi ky objekt i rrallë në Ukrainë, Medvedçuk nuk e rrëfen.

“Fragment i një bible të Gutenberg-ut nga viti 1455” – thuhet në një nga rreshtat e deklarimit të pasurisë të Viktor Medvedtçuk-ut, të publikuar së fundmi. Biznesmeni dhe deputeti i Parlamentit ukrainas sipas këtij inventari posedon një koleksion të tërë skriptesh të vjetra. Por fragmenti i njërit prej librave të parë të shtypur në historinë e njerëzimit spikat nga lista e gjatë e makinave, orave, bizhuterive, pikturave dhe antikuareve.

Medvedçuk konsiderohet prej kohësh njeri i besuar presidentit rus Vladimir Putin. Në vitin 2004 Putin u bë kumbarë i vajzës së Medvedçuk-ut. Në atë kohë Medvedçuk ishte shef i administratës së presidentit të atëhershëm të Ukrainës, Leonid Kutçma. Sot ai është një manjat i medias, figurë kyçe dhe donator i rëndësishëm i partisë proruse, “Platforma opozitare”, që është e përfaqësuar në parlamentin ukrainas.

Por kësaj radhe nuk ishte lidhja e tij e ngushtë me Putinin, që mbushi titujt e gazetave, por një fragment i një libri të vjetër. Studjuesit kryesorë të Gutenberg-ut, të pyetur nga DW për zbulimin në deklarimin e pasurisë së Medvedçuk-ut, u çuditën shumë. Sipas informacioneve të disponueshme deri tani, asnjë nga 15 fragmentet e veçanta të biblës së Gutenberg-ut nuk ndodhej në Ukrainë. Kjo gjë ushqeu shpresën për të rizbuluar një nga fragmentet, që deri tani besoheshin se kishin humbur.

“Një stacion historik në historinë e komunikimit”

Nga 180 librat e shtypur nga Gutenbergu kanë mbetur vetëm 49. Pothuajse të gjitha Biblat e tij gjenden sot në bibliotekat kryesore, si në Bibliotekën e Kongresit në Uashington, në Bibliotekën Kombëtare të Parisit, në British Library në Londër apo në Bibliotekën Universitare në Göttingen. Pas Luftës së Dytë Botërore shumë ekzemplarë të biblave të Gutenberg-ut u zhdukën nga Gjermania. Se ku ndodhen ato, edhe sot pjesërisht nuk dihet. Dy ekzemplarë u ekspozuan për herë të parë para disa vitesh në Moskë. Pas Luftës së Dytë Botërore ata ishin dërguar nga Lajpcigu në kryeqytetin rus me rreth 3000 printime të vjetra gjermane.

Jo vetëm libra të tërë, por edhe faqe të veçanta, që janë rishfaqur pas një kohe të gjatë, janë një sensacion shkencor, thotë Stephan Füssel, drejtor i Institutit Gutenberg për literaturë botërore dhe media të shkruara në Mainz. “Duke qenë libri i parë i shtypur, ai është një stacion historik në historinë e komunikimit. Ky libër ka një rëndësi të veçantë për të gjithë popujt e botës”, thotë Füssel në bisedë me Deutsche Wellen.

Kështu në vitin 2009 për shembull në bibliotekën e qytetit francez Colmar u gjetën disa faqe, që kishin qëndruar me shekuj të pa vëna re në një libër të shekullit të 16-të. Disa vite më vonë një britanik gjeti rastësisht në koleksionin e tij dy faqe të biblës së parë të shtypur mbi pergament. Në këtë fragment kishte qenë i mbështjellë një tjetër libër i vjetër. Një zbulim i ngjashëm në Augsburg bëri furore së fundi në vitin 2017.

Jehonë e madhe në mediat e Ukrainës

Përveç Stephan Füssel edhe studiuesi amerikan i Gutenberg-ut Eric White nga Universiteti Princeton, në bisedë me DW, i bëri apel Medvedçuk-ut që të pajisë shkencëtarët me informacione apo edhe një fotografi të fragmentit të tij. Ai mund të jetë fundja një nga artefaktet e humbur. “Është humbje kulturore, që të fshehësh nga publiku diçka, që për shkencëtarët është e një rëndësie të veçantë”, tha White në një intervistë me DW.

Një javë rresht politikani ukrainas nuk reagoi ndaj asnjërës nga kërkesat e shumta të DW për fragmentin e tij të Biblës së Gutenberg-ut. Vetëm pas një jehone të madhe mediatike në Ukrainë, që e shkaktoi apeli i shkencëtarëve pas publikimit nga DW-në gjuhën ukrainase dhe DW- në rusisht, Medvedçuk u lajmërua të hënën, me 1 qershor. Ai i siguroi shkencëtarët për bashkëpunimin e tij, por në të njëjtën kohë zhgënjeu shpresat për një zbulim të ri. Fragmenti i tij ka qenë prej kohësh i njohur për shkencën, deklaroi politikani. Është një fletë me dy faqe me psalme nga Bibla, që janë përshkruar për herë të parë në koleksionin e famshëm të Gabriel Wells. Amerikani e ndau librin e tij një faqe të veçanta dhe ia shiti koleksionistëve në Europë dhe në SHBA.

Mbetet enigmë se nga vjen Bibla e Gutenbergut

Edhe nëse për shkencën me këtë kanë marrë përgjigje të gjitha pyetjet, gazetarët ukrainas vazhdojnë të këmbëngulin. Fundja të gjithë librat nga shekujt 15 -18 në Ukrainë konsiderohen pasuri kulturore me vlerë kombëtare dhe u nështrohen rregulloreve speciale të importimit dhe eksportimit.

Si arriti Viktor Medvedçuk te ky ekzemplar? Sa ka paguar për të? Me këto pyetje e përballën deputetin reporterët e Radio Liberty menjëherë pas seancës plenare të martën, me 2 qershor. “Për diçka të tillë nuk flitet. Ka shumë kohë – gati tetë apo dhjetë vjet. E kapa rastin dhe e bleva këtë ekzemplar të rrallë për Ukrainën”, tha politikani. E pabesueshme që të ketë qenë i lirë. Në vitin 2015 katër fletë nga Bibla, nga të cilat edhe ukrainasi posedon njërën, ndryshuan në mënyrë anonime pronarin për 970.000 dollarë amerikanë në shtepinë e ankandit Sotheby’s.

Viktor Medvedçuk betohet se e ka blerë këtë objekt të rrallë në Ukrainë. Sipas informacioneve të DW nga rrethet e ekspertëve amerikanë ky fragment ka qenë për dekada në SHBA, së fundmi në inventarin e koleksionistit Randy Hood. Në vitin 2011 është ofruar në shitje përmes kontakteve private nga tregtari i objekteve të rralla Johnny Shipman, i cili ka lidhje të forta me koleksionistë të ndryshëm. Pas kësaj gjurmët e fragmentit u zhdukën, derisa sa u shfaq nëntë vjet më vonë në koleksionin ukrainas.