Nga Mero Baze

Ardian Dvorani është liruar sot nga detyra si anëtar i Gjykatës së Lartë, me argumentin se ai po qëndronte në detyrë, për shkak se deri më sot nuk ka pasur anëtarë të rinj. Me emërimin e tre gjyqtarëve të rinj në Gjykatën e Lartë, u krijua një shumicë e re që “mban hapur derën” në Gjykatë të Lartë, dhe meqë Dovranit ka kohë që i ka kaluar afati, u hap debati i inciuar nga mbështetës të Metës, për largimin e tij. Përpjekje për të marrë vendim të ngjashëm nga KLGJ ka pasur dhe në mbledhjen e parafundit, por ata e kanë shtyrë interpretimin e vendimit, pas interesit dhe alarmit që u vërejt nga diplomatët perëndimorë në Tiranë që mbikqyrin reformën në drejtësi.

Pra e reja këtu është se u krijua një e re shumicë në KLGj, pas reformës në drejtësi, që mbështet vendimet e Metës, dhe duhet parë ku shkon kjo tendencë. Paranoja në këtë rast është, nëse këtë shumicë e krijoi Meta me fuqinë e tij, apo ka një shkelje syri nga shumica për të avancuar disa çështje të reformës në drejtësi, duke toleruar Ilir Metën. KLGJ nuk ka tagër fare të konstatoj vakancat në Gjykatë të Lartë. Atë tagër e e ka vet Gjykata, ndaj kjo lëvizje bie erë. KLGJ me vendimin e sotëm kaloi nga dilema se çfarë të vendos, në një vendim që tejkalon kopetencat e veta ligjore. Ky vendim zbuloi mungesën e integritetit të përbërjes së KLGJ dhe demonstron vullnetin e Presidentit për rritjen e “pavarësisë” ndaj Perëndimit në lidhje me Reformën në Drejtësi.

Nga ky rast nuk lexohen shumë gjëra, pasi realisht Dvoranit i ka kaluar mandati dhe natyrisht që do të ikte një ditë. Por duke ikur nga Gjykata e Lartë, ai nuk ikën nga sistemi i drejtësisë, pasi ligji detyron emërimin e tij brenda sistemit. Përpjekjet dy vjeçare të Metës për ta larguar kanë qenë të lidhura me faktin se duke qenë përfaqësues i Gjykatës së Lartë, në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED), Dvorani është në të njëjtën kohë kryetar i KED. Dhe Meta nuk është i shqetësuar për Dvoranin si anëtar i Gjykatës së Lartë, por për Dvoranin si kryetar i KED.

Tashmë nëse vazhdon beteja për të shkarkuar Dvoranin nga KED dhe për ta zëvendësuar me Vitore Tushën, siç po e përflet grupi i Ilir Metës, e cila është thjesht një shoqe e Argitës në zyrën e Metës, atëhere kemi të bëjmë me një lëvizje që realisht tenton të vendosë nën kontroll të Metës e Berishës, institucionet kyçe të reformës në drejtësi. Normalisht detyra e Dvoranit si kryetar i KED nuk cenohet nga vendimi i sotëm, pasi ai është aty me mandat një vjeçar dhe është brenda sistemit, pasi nuk del nga sistemi. Detyrimi ligjor është që ai të sistemohet përsëri brenda sistemit të drejtësisë.

Kur ai të zëvendësohet si kryetar i KED, duhet të zgjidhet me short, një nga 3 anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë. Është identik si rasti i Arta Markut, që iku nga prokurore e Përgjithshme, por mbeti në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Nëse nddh që Meta të avancojë dhe të çojë Vitore Tushën dhe kryetare të KED, është njësoj sikur të çojmë Argitën, dhe kemi një kapje flagrante dhe antiligjore të gjithë institucioneve të reja të drejtësisë, nga Ilir Meta. Nëse socialistët do ta lejojnë këtë gjë, duke bërë sikur nuk e kanë mendjen, atëhere ai tuiteri i ambasadores Yuri Kim, për thashethemet “që kishte dëgjuar” për një marrëveshje në heshtje kundër reformës në drejtësi, bëhet shumë aktual.