Eleminimi nga Kupa e Italisë ende djeg, por Interi i Antonio Conte rifillon Serie A, duke u përgatitur për ndeshjen e radhës. Maja e renditjes është disi larg, por skuadra zikaltër nuk dëshiron të vendosë kufij nga këtu deri në fund të sezonit. Për mikrofonat e një televizioni kinez, në pronësi të grupit “Suning”, trajneri salentin nënvizoi ambiciet e ekipit të tij: “Ndihem krenar të shoh se si rritet mentaliteti i këtij ekipi. Unë vërej se lojtarët janë të vetëdijshëm për fanellën që mbajnë veshur.

Nëse duam të jemi konkurrues dhe të luftojmë për të fituar, çdo lojtar i vetëm duhet të ngrejë nivelin e vet. Ne e dimë se kemi një rrugë përpara për t’u rikthyer te fitimi i trofeve. Nuk mund t’i biem shkurt, sepse po flasim për një rrugë që kërkon punë dhe sakrificë, përpjekje dhe pasion, por në të njëjtën kohë dëshirë dhe ambicie të mëdha. Mendoj se kemi filluar një rrugë të bukur. Duhet të besojmë te vetja dhe të përballemi me vështirësi”.

Conte thotë se ka një grup lojtarësh të bashkuar dhe shumë të motivuar për objektivat që mbeten në këtë sezon: “Falënderoj lojtarët për profesionalizmin e tyre dhe stafin, që kujdesen për to çdo ditë. Kemi komunikuar me lojtarët përmes “Zoom” gjatë karantinës, për t’i bërë ta ndiejnë praninë tonë në një moment të vështirë për krejt njerëzimin. Nuk do të jetë e lehtë të luajmë çdo tri ditë, të stërvitemi me intensitet dhe të jemi në fushë me temperatura të larta. Të gjithë dëshirojnë ta provojnë veten në ndeshjet zyrtare, nuk do të kem nevojë për t’i motivuar lojtarët. Pas një kohe të gjatë izolimi, mezi kemi pritur të kthehemi në fushë. Kemi një dëshirë të madhe për të luajtur dhe fituar. Do të duhet të menaxhojmë mirë anënh fizike dhe motivimin në këtë moment të veçantë”.

Pushimi i detyruar nga urgjenca shëndetësore, megjithatë, u dha më tepër kohë disa prurjeve të reja, që përfituan në këto muaj të përshtaten më mirë me grupin: “Të mos harrojmë se në këto shtatë muaj nuk kemi pasur shumë fat, kemi humbur lojtarë që po bënin mirë. Tani ekziston mundësia që të kemi ta gjithë skuadrën në dispozicion dhe unë kam punuar për këtë. Alexis Sanchez është në gjendje të mirë. Ne kemi qenë në gjendje të punojmë ekstra me Eriksen, duke e futur atë në mënyrën e duhur në filozofinë e lojës së Interit. E kemi vendosur atë të barabartë me të tjerët nga pikëpamja taktike dhe fizike”.