Edhe pse ka nga ata që thonë se rikthimet në futboll nuk është kurrë të mira, Philippe Coutinho është i qartë se lumturia e tij lidhet vetëm me Liverpool, ku u rrit si lojtar dhe ishte më i qetë në fushë. Sipas tabloidit britanik “The Sun”, braziliani ka telefonuar personalisht Jürgen Klopp, duke i kërkuar që të kthehet në “Anfield” muajt e ardhshëm. Megjithëse ka pasur interes nga Chelsea, Arsenali, madje edhe Leicester City në muajt e fundit, preferenca e brazilianit është e qartë: kthimi te Liverpool.
Coutinho ka njoftuar ish-teknikun e tij për predispozicionin që ka. Gjithmonë sipas “The Sun”, lojtari merr 220.000 dollarë në javë te Barça, ndërsa Mohamed Salah, i cili paguhet më shumë te Liverpool, fiton 200.000 dollarë në javë, një “tavan” që nuk tejkalohet nga drejtuesit e “Reds” në asnjë rrethanë. Mesfushori 28-vjeçar e ka të vështirë një rikthim të tillë, pasi situata ekonomike e Liverpool, si e të gjitha klubeve të tjera, nuk është ideale, pas krizës së shkaktuar nga COVID-19.
Drejtuesit prapësuan investimin e 60 milionë eurove për Timo Werner, pasi pagesa të tillë mund të rrezikojnë stabilitetin e klubit. Kësisoji, vetëm huazimi duket opsioni i vetëm që Coutinho të luajë për Liverpool sezonin e ardhshëm. Duhet mbajtur mend se Barça ende i ka borxh Liverpool-it, një pjesë të rëndësishme të transferimit prej 150 milionë eurosh.