Pandemia COVID-19 me të cilën po përballet e gjithë bota, përveç problemeve të shumta me të cilat po shoqërohet, ishte edhe një sfidë e jashtëzakonshme edhe për agjencitë e lajmeve, ishte përfundimi i drejtuesve të disa agjencive publike europiane të lajmeve, në opinionet e tyre dhënë Aleancës Europiane të Agjencive të Lajmeve (EANA), ku Agjencia Telegrafike Shqiptare është anëtare me të drejta të plota. ”Agjencia Telegrafike Shqiptare tregoi edhe një herë se ishte e para në sigurimin e informacionit të besueshëm. Ajo u mbështet vetëm te informacione zyrtare, me qëllimin e vetëm për mospërhapjen e panikut në opinionin publik. Ky mendoj se ishte edhe çelësi i suksesit të saj”, deklaroi për EANA-n drejtoresha e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, Armela Krasniqi.
”Kjo pandemi tregoi se ndikimi i medias është i jashtëzakonshëm në formësimin e opinionit publik, sidomos po të kemi parasysh që në tregun mediatik ekzistojnë, për fatin tonë të keq, që nga mediet që spekulojnë dhe deri te ato që merren me teori konspirative dhe që ndikojnë jo pak te njerëzit”, thekson Krasniqi, e cila është anëtare e bordit drejtues të EANAS-s. ”Pikërisht për atë që thashë pak më lart, unë mendoj, ashtu siç edhe koha e provoi, se roli i agjencive të lajmeve në të tilla situata është i pazëvendësueshëm. Krizat e mëdha duan zgjidhje të mëdha dhe të guximshme. E gjithë sasia e informacionit të prodhuar nga ATSH ishte plotësisht i bazuar mbi fakte, i marrë në mënyrë zyrtare dhe i qëmtuar deri në detaje. Të dhënat tregojnë se ATSH pati një rritje të konsiderueshme të vizitorëve në faqet e saj në shqip, anglisht dhe frëngjisht. E ardhmja e medias dhe veçanërisht ajo e agjencive të lajmeve do të ketë të bëjë me besueshmërinë, si sfida kryesore, por edhe më e vështirë për t’u fituar”, deklaroi Krasniqi.
”Vetëm në këtë mënyrë ato do ta fitojnë këtë luftë dhe do të ndihen krenare më pas për përmbushjen e misionit të tyre që buron nga një prej të drejtave themelore të njeriut, asaj për informim”, përfundon ajo. Për presidentin e agjencisë holandeze të lajmeve, ANP, Martijn Bennis ”vlera kryesore për ANP-në gjatë kësaj pandemie ishte koncepti i faktit”. ”Faktet janë elementet për gjetjen e së vërtetës dhe të një baze të përbashkët për debat shoqëror. Për këtë arsye, gazetaria duhet të jetë plotësisht e pavarur nga forcat që mund të kenë interes të fshehin fakte”, shton ai. ”Kriza e COVID-19 thekson rëndësinë e agjencive të lajmeve. Faktet dhe ekspertiza kanë fituar rëndësi sepse ka shumë paqartësi rreth virusit. Kohët e fundit, ANP ka prodhuar shumë më tepër se normalisht dhe kemi vënë re se klientët i referohen shumë lajmeve tona”, thekson Bennis.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, Peter Kropsch thotë se ”në një krizë si kjo, agjencitë e lajmeve duhet të bëjnë më shumë”. ”Është përgjegjësia jonë të bëjmë një përpjekje të jashtëzakonshme për t’i mbajtur njerëzit të mirinformuar, veçanërisht në një kohë dhimbjeje, konfuzioni dhe lajmesh të rreme”, thekson Kropsch. Presidentja e agjencisë spanjolle të lajmeve, EFE, Gabriela Canas, thotë në mënyrë figurative se ”në një krizë si kjo, agjencitë e lajmeve duhet t’i shtojnë kilometrat”. ”Përgjegjësia jonë është që të bëjmë një përpjekje të jashtëzakonshme për t’i mbajtur njerëzit të mirinformuar, veçanërisht në kohën e dhimbjes, konfuzionit dhe lajmeve të rreme”. ”Në këto momente të gjithë duhet të dinë se çfarë po ndodh me pandeminë, si ta përballojnë atë, si duhet të sillen, si të luftojnë COVID-19 ndërsa kujdesen për mirëqenien e tyre dhe të të dashurve të tyre”, shton Canas.