Pandemia Covid? Ndikimi i saj mbi planet ka qenë shkatërrues, ne nuk e dimë kur (dhe nëse) do të vijë një valë e dytë dhe shumë vende, saktësisht pesë muaj pas shfaqjes së parë të këtij patogjeni të panjohur, ende vazhdojnë të numërojnë të vdekurit. Megjithatë, paralajmërojnë ekspertët, rreziku që viruse shumë më agresivë se Sars-CoV-2 të mund të pllakosin në botën njerëzore, është shumë i lartë. Richard Leakey e shpjegonte arsyen në mënyrë të përsosur gjatë një interviste me të përjavshmen La Lettura. Leakey është një shkencëtar me famë botërore, i cili për vite me radhë lufton për konservimin e llojeve të kafshëve të rrezikuara. Problemi që qëndron pas gjithçkaje, i njëjti që shkakton edhe shfaqjen e viruseve me origjinë shtazore dhe pandemitë, është presioni i njeriut mbi mjedisin. “Një numër i madh speciesh po zhduken gradualisht – tha Leakey. Jo vetëm elefantët dhe rinocerontët, por edhe shumë specie të tjera, të mëdha dhe të vogla, që banojnë në pyje dhe thellësi të detit”. Procesi tani është “i pakthyeshëm” sepse “ne jemi shumë dhe duam shumë”. Me fjalë të tjera, njeriu ka pushtuar mbretërinë e kafshëve, duke u zgjeruar atje ku jetonin specie të izoluara.

Rezultati i një kontakti tashmë të ngushtë, një bombe e vërtetë shëndetësore, lehtësoi rrjedhjen (d.m.th. kalimin e një patogjeni nga një specie pritëse në një tjetër) dhe nxori në dritë sëmundje të panjohura. Covid është vetëm më e fundit. Duke u kthyer mbrapa në kohë, vërejmë se si lista është e gjatë: Sars, Mers, Zika, Ebola, Aids. Kafshët e përfshira janë po aq të shumta, mes sigurive, hipotezave dhe supozimeve: lakuriqë, mushkonja, majmunë, deve dhe të tjera.

Sh farosja e kafshëve Për shkak të presionit të njeriut mbi mjedisin – dhe si pasjë transformimit të habitateve natyrore – shumë specie detyrohen të lëvizin, për të gjetur kushte më të mira për ekzistencën e tyre. “Pandemia e Covid-19 – shton Leakey – rrjedh nga fakti se ne po bëjmë presion ndaj këtyre krijesave, dhe po i detyrojmë të lëvizin në habitate të reja. E bëjmë edhe ne, pse nuk duhet ta bëjnë ato?”

Ndërhyrja në jetën e kafshëve “që veprojnë si rezervuar” për viruset (ose më keq, që i hanë ato) sjell në mënyrë të pashmangshme përhapjen e patogjenëve që jetojnë brenda organizmave të tyre. Prandaj, ekziston një lidhje shumë e fortë midis pandemisë aktuale Covid dhe shkatërrimit të ekosistemeve nga dora e njeriut. Duke u kthyer tek Sars-CoV-1, edhe pse nuk ka siguri absolute, shkencëtarët mendojnë se gjithçka mund të ketë filluar nga një lakuriq nate; virusi më pas ka kaluar te njerëzit përmes veprimit të një bujtësi të ndërmjetëm (mbase një pangolin ose kush e di se çfarë kafshe tjetër), me gjasë të ekspozuar në ndonjë treg të lagësht. “Na duhet të korrigjojmë arrogancën tonë dhe të kuptojmë se nuk kemi burime të mjaftueshme për t’i ushqyer të gjithë. Ne nuk mund të presim që popullsia botërore të arrijë në 8 ose 9 miliardë dhe të jetojë me burimet që kemi, të cilat edhe kështu janë të pakta, duke qenë se maja është më pak e qëndrueshme, është më ftohtë, më nxehtë dhe nuk ka ujë mjaftueshëm”, thotë Leakey.

Një e ardhme plot risqe- Një tjetër problem i madh që kontribuon në favorizimin e përhapjes është trafikimi i kafshëve të egra. “Nuk jam i sigurt se do të jemi në gjendje t’i japim fund këtyre bizneseve përgjithmonë, sepse ne shesim atë që njerëzit duan. Ne do të duhet të kthehemi në mësimin bazë, që ekziston një kufi në atë që mund të hamë dhe të duam”, tha Leakey. Edhe këtu, nuk ka mungesë shembujsh. Një nga tregtitë që përfundoi nën lupën e autoriteteve kineze – dhe e akuzuar se kishte favorizuar përhapjen e Covid – është blerja dhe shitja e pangolinëve, një biznes shumë i përhapur në të gjithë Azinë Juglindore.

Sa për viruset e reja, domethënë ato që do të vijnë pas Sars-CoV-2, shkencëtari ka guxuar të bëjë një parashikim: “Viruset po ndryshojnë dhe nuk ka asnjë arsye pse të mos shfaqet një i ri, edhe më i keq. Covid-19 nuk është pandemia e fundit që do të shohim”. Çfarë mund të ndodhë? Vështirë të thuhet, edhe pse hipotezat nuk mungojnë. “Për shembull – ka sqaruar Leakey – ne e dimë që thërrmijat e plastikës në ujë, hahen prej peshqve: e imagjinojmë dot çfarë efekti do të mund të kishte një patogjen, që do të mësonte të lidhej me plastikën?” Vaksina? Mund të mos jetë një shpëtim, sepse “kur të kemi gjetur një vaksinë, pas një minute do të dalë një tjetër virus prapa qoshes, i gatshëm për të gjetur një rrugë që të na infektojë”. Il Giornale – Bota.al