Bashkëkryetari në komisionin e Reformës Zgjedhore nga radhët e shumicës parlamentare, Damian Gjiknuri, sqaroi detaje nga marrëveshja mes palëve, sa i takon votës së emigrantëve. Në takimin online me këshillin koorodinues të diasporës, Gjiknuri theksoi se çështja e votës së emigrantëve është përfshirë në proces, ndonëse ishte një proces i vështirë politik.
Sipas Gjiknurit, është vendosur që procesin e votës së emigrantëve në zgjedhje do ta udhëheqë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Gjithashtu, deputeti socialist theksoi se të gjithë emigrantët, që do të votojnë me postë ose në mënyrë elektronike, do të numërohen në Qarkun e Tiranës, pasi ata do të rezultojnë të regjistruar pikërisht në kryeqytet.
“Reforma Zgjedhore është zhvilluar në një kontekst të vështirë politik. Nuk ishim në kushte normale si reformat e tjera, pasi ishim në një situatë ku dialogu me opozitën ishte thuajse i munguar. Për këtë, çështja e emigrantëve duhej sqaruar me shumë kujdes. Megjithatë, morëm përsipër që çështjen e votës së emigrantëve ta përfshijmë, në një mënyrë që ajo të bëhet e mundur. Nisur nga konteksti aktual, ku emigrantët duhet të votojnë sipas një regjistri paraprak, tashmë infrastruktura është gati. Për këtë vendosëm që në Kodin Zgjedhor procedurat e votimit, me postë ose elektronike, t’ia delegojmë KQZ. Në Kod u sanksionua që është KQZ ajo që udhëheq procesin. Kushdo emigrant, i cili është i regjistruar në një regjistër, automatikisht do të gjenerohet në listën e zgjedhësve, dhe do të ketë mundësi të votojë.
Duhet që emigranti, diaspora, shqiptari me banim jashtë vendit, duhet të jetë i regjistruar në regjistrin e gjendjes civile. Vota e tyre do të llogaritet në Qarkun e Tiranës. Pra, emigrantët e regjistruar në regjistër dalin në Qarkun e Tiranës. Në zgjedhjet e para numri do të jetë i vogël, por nëse do të aplikojmë në këto zgjedhje 20-30 mijë emigrantë, do të nxjerrim mësime për zgjedhjet e tjera. Meqë është listë unike, vota e tyre do të llogaritet në Tiranë, e cila ka dhe më shumë mandate”, tha Gjiknuri.