“Po të isha te Milani do të bëja gjithçka për ta mbajtur Ibrahimoviç”. Kështu shprehet Alex Del Piero nga mikrofonat e “Sky”. Ish-kapiteni i Juventusit, legjendë bardhezi, merr pozicion kësisoji në përplasjen mes suedezit dhe drejtorit Gazidis, gjatë javës. Referuar këtij të fundit, duket larg konfirmimi i 38-vjeçarit për sezonin e ardhshëm.
“Përtej atyre që janë planet e Milanit, – këshillon Del Piero, – unë do të bëja gjithçka për ta mbajtur Ibrahimovic. Kjo vlen nëse klubi dëshiron të ndërtojë një ekip krejtësisht të ri, edhe nëse dëshiron të ecë përpara me grupin e lojtarëve që ka tashmë në dispozicion”.
Del Piero, shoku i skuadrës së Ibrahimoviç nga viti 2004 deri më 2006, kur suedezi veshi fanellën e Juventusit, shtoi: “Zlatan është një kampion i jashtëzakonshëm në të gjitha aspektet, jo vetëm brenda fushës. Ai ka karakter dhe karizëm. Ibrahimoviç është një futbollist, që gjithmonë do të dëshiroja ta kisha në skuadrën time”.