Dëmtohen kolonat e fasadës së burimit monumental të Apolonisë. Duke iu përgjigjur interesit të publikut mbi rastin e dëmtimit të dy kolonave të Nimfeut, në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, dhe për t’i vënë fre disinformimit, të mbështetur vetëm në hamendësime dhe keqinterpretime rrjetesh sociale dhe asnjë burimi zyrtar, Ministria e Kulturës sqaron se nuk ka bërë asnjë përpjekje për të fshehur dëmtimin e dy kolonave, por ka ndjekur rrugën ligjore për zbardhjen e këtij akti vandal dhe ka marrë masa të menjëhershme për hartimin e projektit për ringritjen e tyre. Deklarohet se dy kolonat e fasadës së çezmës monumentale të Apolonisë janë dëmtuar dy muaj më parë, gjatë izolimit nga Covid 19 dhe se ato janë gjetur të dëmtuara gjatë kontrollit nga punonjësit e Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis, në datën 13 prill 2020.
“Menjëherë është lajmëruar Drejtoria e Policisë Vendore, Fier, e cila erdhi menjëherë në vendngjarje. Tashmë ngjarja është nën hetimin e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Në të njëjtën kohë, Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis ka vënë në dijeni Ministrinë e Kulturës dhe Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore. Nga inspektimi në terren u konstatua se kolonat kanë pësuar shkëputje të tamburëve nga njëri-tjetri dhe ciflosje. Specialistët e Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Parqeve Arkeologjike Apoloni dhe Bylis kanë mbledhur dhe dokumentuar çdo element të shkëputur. Sipas specialistëve, nuk ka asnjë humbje të parikuperueshme në monument”, thuhet në deklaratë.
Më tej shtohet se Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut ka hartuar menjëherë një projekt restaurimi, i cili është aprovuar tashmë pranë Këshillit Shkencor të Institutit të Monumenteve dhe në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore pranë Ministrisë së Kulturës. Ministria bën me dije se puna për ringritjen e kolonave dhe restaurimin e tyre do të nisë në ditët në vijim. Parku i Apolonisë është një nga më të rëndësishmit në vendin tonë, me një shtrirje prej 700 hektarësh dhe ruajtja e këtyre sipërfaqeve, ka shfaqur vështirësi përgjatë viteve.
Ashtu si të gjitha institucionet e tjera shtetërore, edhe Ministria e Kulturës po bashkëpunon me Shoqërinë Shtetërore të Sigurisë, për vendosjen nën ruajtje të të gjitha muzeve, siteve arkeologjike dhe institucioneve të tjera kulturore. “Duke dënuar këtë akt vandal dhe antishqiptar, me besim të plotë se Policia e Shtetit do të zbardhë këtë çështje, dhe përgjegjësit do të dalin përpara drejtësisë, Ministria e Kulturës i bën thirrje çdo qytetari të kontribuojë me përgjegjshmëri dhe ndjeshmëri të lartë civile, në ruajtjen e trashëgimisë sonë të përbashkët kulturore”, thuhet në mbyllje.