Qeveritë evropiane po punojnë me Shtetet e Bashkuara rreth një plani që synon të reformojë Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Lajmi u bë i ditur nga një zyrtar i lartë evropian për çështje shëndetësore, duke sinjalizuar se Evropa ndan disa nga shqetësimet që e shtynë Uashingtonin të largohej nga organizata. Zyrtari evropian i shëndetësisë, i cili foli në kushte anonimiteti mbi nismën që nuk është bërë ende publike, tha se Britania, Franca, Gjermania dhe Italia po diskutojnë me Shtetet e Bashkuara mbi reformimin e OBSH në nivelin teknik.

Qëllimi, tha zyrtari është që të sigurohet pavarësia e OBSH-së, një referencë e dukshme mbi pretendimet se organizata ka pasur qëndrime shumë të afërta me Kinës gjatë përgjigjes së saj fillestare ndaj krizës së koronavirus në fillim të këtij viti. Sipas zyrtarit reformat do të përfshijnë ndryshimin e sistemit të financimit të OBSH-së për ta bërë atë më afatgjatë. OBSH tashmë operon me një buxhet dy-vjeçar, i cili “mund të dëmtojë pavarësinë e organizatës, nëse i duhet të mbledh fonde nga vende donatore në mesin e nje situate emergjence, tha zyrtari. Presidenti amerikan Donald Trump e ka akuzuar OBSH-në për qëndrime të afërta me Kinës dhe njoftoi planet për t’i hequr fondet që SHBA i jep organizatës. Vendet evropiane herë pas here kanë bërë thirrje për reformë të OBSH-së, por në përgjithësi e kanë mbrojtur organizatën nga kritikat e ashpra të Uashingtonit. Pozicioni publik evropian ka qenë zakonisht se çdo reformë duhet të vijë vetëm pas një vlerësimi të përgjigjes ndaj krizës së koronavirusit.