Bypass-i i Fierit nga sot është 100% në dispozicion të qytetarëve, i hapur në të dy krahët, pas përfundimit të punimeve me të gjitha detajet. Kjo rrugë 22 kilometra e gjatë, është autostradë e kategorisë B, ekstra urbane dhe me një limit shpejtësie prej 120 kilometrash. Është hera e parë që në Shqipëri ka një rrugë me limit kaq të lartë shpejtësie. Deri tani ka qenë rruga Tiranë-Elbasan e cila vetë në disa kilometra të saj lejon 110 km në orë shpejtësi për mjetet. Rruga e re do të kontrollohet me radar shpejtësie për të monitoruar respektimin e rregullave nga drejtuesit e automjeteve.
Gjerësia e këtij Bypass-i me dy karexhata është 22 metra total. Secila karexhatë ka nga 2 korsi. Është një rrugë e trajtuar dhe në detaje sipas kërkesave të pushtetit lokal. Për disa problematika siç është rasti i përmbytjeve janë vendosur 104 tombino. Po ashtu janë mbjellë përgjatë gjithë segmentit pemë në të dy krahët e rrugës. Sakaq janë ndërtuar 3 ura përgjatë këtij Bypassi, ura te Pojanit, Semanit dhe Hoxharës. 4 udhëkryqe me dy nivele. Po ashtu janë ndërtuar 21 nënkalime dhe 7 mbikalime”, raporton noa.al duke cituar ministrinë e Infrastrukturës. Pas dorëzimit të Bypass-it, puna do të vazhdojë me rrugën e Apolonisë dhe me rrugën hyrëse të qytetit të Fierit për të cilën ministrja Belinda Balluku thotë se, “aty projekti është rishikuar pasi rruga është zgjeruar dhe kemi krijuar akses më të mirë për të gjithë daljen në qytet, që supozohet të jetë dhe aksesi kryesor i këtij Bypass-i”.
Një tjetër vepër për të cilën punimet po avancojnë është edhe Bypass-i i Vlorës, për të cilin ministrja u shpreh sot nga Fieri se punimet kanë ecur mjaft mirë. “Do fillojmë asfaltimin duke filluar nga kjo javë në një pjesë të mirë të tij. Kanë ecur edhe veprat e artit, kështu që, po plotësohen të gjitha pjesët, qoftë me Bypassin e Fierit dhe me Bypass-in e Vlorës. Ditën e premte ne do lancojmë dhe garën për tunelin e Llogarasë dhe më pas ditët në vazhdim do të lancojmë edhe garën për pjesën më të madhe të korridorit Adriatiko – Jonian”. Aksin prej 120 kilometra pjesë e Korridorit Adriatiko – Jonian, Kryeministri Rama e cilëson si një vepër gjigande. “Të sistemohet e gjitha nëpërmjet Thumanë- Rrogozhinës e deri këtu është fantastike”, – u shpreh Kryeministri sot në Fier. Aksi Milot – Thumanë – Rrogozhinë – Fier, i cili do të lidhet pikërisht me Bypass-in e Fierit dhe do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën rrugore të Shqipërisë Turistike.