Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka prezantuar sot kornizën e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë që sipas tij do të zhvillohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe do të drejtohet nga Kryeministri i vendit.

“Dialogun e udhëheq kryeministri i Kosovës. Ka pasur diskutime nga më të ndryshmet, javët dhe muajt e fundit, unë nuk do të bëj kurrfarë gare me të tjerë profile institucionalë, pasi që kompetencat e mia kushtetuese janë të qarta, përfshirë edhe kompetencat për dialog”, ka deklaruar Hoti.

Përsa i përket parimeve të dialogut, Hoti tha se integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm.

“Nuk ka kuptim asnjë marrëveshje pa njohje reciproke, dhe jo njohje reciproke të përkohshme, por njohje reciproke që na siguron ulëse në OKB dhe na siguron njohjen nga pesë vendet e BE-së që ende nuk na kanë njohur”, ka shtuar mes tjerash ai.

Objektivi i Qeverisë së Kosovës në dialogun me Serbinë, ka njoftuar Hoti është që në këtë marrëveshje të adresohen të gjitha çështjet e hapura me Serbinë, siç është fati i të pagjeturve dhe një listë e gjatë e çështjeve që janë në pritje.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.

Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011 në Bruksel.