Operacioni më i madh i ndërmarrë nga shteti do të përfshijë 8 zona kadastrale: Palasë, Dhërmi, Vuno, Lukovë, Gjilekë, Ilias, Himarë, Nivicë. “Ky proces do të trajtojë rreth 16.500 pasuri private dhe 5200 pasuri shtetërore. Prej tij do të përfitojnë rreth 8000 rezidentë apo të emigruar nga këto zona”, u shpreh Artan Lame, Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Përgjatë gati 30 viteve të tranzicionit, procesi i regjistrimit të pronave ka filluar 2 herë, por është braktisur pa u përfunduar. Por kreu i ASHK-së i premtoi banorëve, që kësaj herë shteti shqiptar do ta çojë deri në fund këtë proces. Në kushtet që Kadastra e Vlorës ka problem me gjetjen e një drejtuesi, pas largimit të para pak ditëve të Viola Himës, e gjashta që dorëhiqet brenda një periudhe të shkurtër kohe, Lame bëri këtë deklaratë.
“I gjithë procesi do të monitorohet nga ekipet tona të dërguara nga Tirana. Kjo për shkak të ekspertizës më të mirë e cila është grumbulluar pranë Drejtorisë së Përgjithshme këtu në Tiranë, por edhe për shkak të shmangies së konfliktit të interesit midis punonjësve lokalë, si dhe për të mos përfshirë në këtë proces një drejtori rajonale si ajo e Vlorës, e cila për fat të keq muajt e fundit ka shfaqur problematika të mbartura e të mahisura prej vitesh”, tha Lame.
Jemi në sezon turistik dhe pas pandemisë, ky sektor po lufton për t’u futur në shinat e duhura. Procesi i regjistrimit të pronave në jug do të zgjasë disa muaj dhe kjo do të krijojë mundësinë për investime të ligjshme, që nga pronari që do të hapë dy apo tre dhoma e deri tek ata sipërmarrës që duan të ndërtojnë komplekse dhe hotele turistike të mëdha. TCH