Opozita është pajtuar me idenë se zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi thotë se vendin e ndajnë 10 muaj kohë nga procesi i votimit, që përkon me afatin e propozuar në marrëveshjen e Këshillit Politik, që zgjedhjet të mbahen në prill-maj.

Gjatë një interviste të dhënë për “News24” në emisionin e Sokol Ballës, kryetarja e LSI-së thotë se koha nuk premton për asnjë forcë politike që të përgatitet për përzgjedhjen e kandidatëve dhe fushatën elektorale. “Jemi vetëm 10 muaj larg zgjedhjeve, jemi shumë vonë sa i përket angazhimit. Çdo parti është shumë vonë me përgatitjet”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi zbuloi edhe faktin se LSI ka parë me rezerva propozimin e Partisë Demokratike që buxheti i shtetit të marrë përsipër peshën më të madhe të financimit të partive politike në fushatë elektorale. Ajo u shpreh gjithashtu e gatshme që të përballet me Edi Ramën.

“Ne si LSI jemi kategorikisht kundër financimit publik. Propozuesit përdornin logjikën se buxheti është më i kontrollueshëm. Nëse unë do të shkoj në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, probabiliteti për të shkuar drejt votimit është më i madh, pasi njerëzit do të shkojnë të votojnë kundër tij. Ndaj mua më leverdis prania e tij”, deklaroi kryetarja e LSI-së. Kryemadhi e vlerësoi si strategji shpëtimit të Edi Ramës thirrjen për t’u takuar me Bashën dhe foli me bindje se një takim i tillë nuk ka për të ndodhur, përveçse tek kutitë e votimit.

“Kur është keq Edi Rama bën thirrje për tryeza. Ata të dy (Rama-Basha) do të takohen në kutinë e votimit dhe jo më në tryeza”, tha ajo. Megjithatë, opozita është qortuar se me marrëveshjen e nënshkruar iu rikthye sistemit që me djegien e mandateve synoi që ta rrëzojë dhe i dha të drejtë Edi Ramës për zgjedhjet e 2017, që PD-LSI i kanë sulmuar si të manipuluara dhe të blera me ndihmën e krimit të organizuar.

Por, Kryemadhi bën një bilanc pozitiv të aksionit ekstrem më shumë se njëvjeçar të opozitës, përfshirë këtu edhe vendimin për të mos hyrë në zgjedhjet vendore të qershorit të vitit të kaluar.

“Ne kemi arritur në një fitore në iluminimin e faktorit ndërkombëtar. Ne jemi një pikë në oqeanin e tyre, ndonjëherë të nevojshëm si xhepa për të shkarkuar ndonjë problem që kanë, si me emigrantët. Kur gjërat bëhen më prezente, më flagrante si me teatrin fillojnë edhe të tjerët lëvizin. Lëvizin pak më vonë këtu te ne se jemi vend i vogël. Ndërkombëtarët kanë qenë ata që i thoshin vazhdo Ramës, kanë qenë muri kinez. Ky mur u shemb që ata të ruanin themelet e veta në vazhdimësi”, tha Kryemadhi.