Paulo Dybala e ka pranuar se do të ishte e këndshme për të të luante në Barcelonës, ndërsa ylli argjentinas shtoi se ai është ende në pritje të rinovimit të kontratës së tij me Juventusin. 26-vjeçari Paulo Dybala ishte duke e shijuar një sezon mbresëlënës para se futbollit të suspendohej shkaku i koronavirusit, përkundër që verën e kaluar ishte spekuluar për një largim nga Allianz Stadium, transmeton Gazeta Express.

Argjentinasi raportohet se do të nënshkruajë së shpejti kontratë të re me Juventusin për ta zgjatur karrierën e tij në Torino të Italisë, ku po momentin ka kontratë deri në vitin 2022. Megjithatë, Dybala e ka pranuar se do të ishte e këndshme për të të luante me bashkëkombësin e tij, Lionel Messin, në Barcelonë. “E vërteta është që Barcelona është një klub i madh botëror dhe, me Messin aty, është klub edhe më i madh”, ka thënë Dybala, në një intervistë të dhënë për CNN.

“Do të ishte shumë e këndshme, por Juventusi është gjithashtu një klub i mrekullueshëm, shumë i madh, përplot histori, ku ka për momentin shumë lojtarë të mrekullueshëm”. “Ne kemi mjaftueshëm cilësi në skuadër sa për t’i bërë dy ekipe dhe kemi mundësi të luajmë edhe me Gianluigi Buffonin dhe Cristiano Ronaldon, që e bëjnë klubin edhe më të madh”. Përderisa një transferim potencial në Barcelonë mund t’i duket i këndshëm, Dybala raportohet se është shumë afër të rinovojë kontratën e tij me Juventusin.

“Nuk ka asgjë për momentin, me të vërtetë. I kam edhe një vit e gjysmë në kontratën time, që nuk është shumë, dhe unë e kuptoj se klubi s’e ka të lehtë për shkak të gjithë këtyre gjërave që kanë ndodhur shkaku i pandemisë. Por, lojtarë të tjerë i kanë rinovuar kontratat, kështu që ne po presim”, shtoi Dybala.