Komisioni Evropian rekomandoi më 11 qershor heqjen e kufizimit të udhëtimeve drejt BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke nisur nga 1 korriku. Por një vendim i tillë nuk është marrë ende nga vendet anëtare, të cilat vijojnë diskutimet në nivel ambasadorësh në Këshill për një listë të gjelbër vendesh. I pyetur nëse do të ndikojë situata e fundit epidemiologjike në rajon, me rritjen e rasteve në shumë vende, zëdhënësi i Komisionit, përgjegjës për çështjet e brendshme, u përgjigj:
“Rekomandimi i Komisionit Evropian për të hequr kufizimet e udhëtimeve me vendet e Ballkanit Perëndimor nuk lidhej vetëm me konsideratat epidemiologjike, por edhe me nivelin e ngushtë të integrimit që rajoni ka me BE-në, dhe në përgjithësi mardhëniet tona me rajonin, siç u shpjegua në detaj në rekomandimin tonë të 11 qershorit. “Tani, në lidhje me situatën epidemiologjike, ne po e ndjekim situatën nga afër, dhe pritet të merret një vendim për 1 korrikun nga vendet anëtare i cili do të duhet të marrë parasysh edhe të dhënat më të fundit epidemiologjike. Siç e kam thënë, këto diskutime po zhvillohen tashmë në Këshill dhe janë në dorën e vendeve anëtare.”
Këshilli i BE-së ka zhvilluar disa takime të niveleve të ndryshme, së fundmi në atë të ambasadorëve, por pa arritur ende në një vendim për një listë të gjelbër vendesh ndaj të cilave kufijtë e BE-së pritet të hapen duke nisur nga 1 korriku. Kriteret bazë për këtë, sipas rekomandimit të Komisionit të 11 qershorit, duhet të jetë një situatë e ngjashme apo më e mirë epidemiologjike se në vendet anëtare të BE-së, aftësia për mbrojtjen e shëndetin gjatë udhëtimit, dhe reciprociteti në hapjen e kufijve. Një tjetër takim i ambasadorëve të BE-së për këtë çështje pritet të zhvillohet të mërkurën.