Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka vendosur të anulojë krejtësisht shtetrrethimin e vendosur nga Ministria e Brendshme Turke dhe që ishte njoftuar për këtë fundjavë në 15 provincat më të populluara të vendit.

Një masë e tillë ishte lënë në fuqi për fundjavat si dhe festat kombëtare, e qe respektuar edhe për Fiter Bajram, në 24 maj. Por tani, papritmas, presidenti turk ka zgjedhur ta heqë atë plotësisht! Një ditë më parë ndërkohë u njoftua se Turqia planifikon të rikthejë fluturimet ndërkombëtare me rreth 40 shtete në muajin qershor, dhe deri më tani ka arritur marrëveshje paraprake me 15 shtete.

Turqia i mbylli kufijtë në kuadër të masave për të luftuar koronavirusin e ri. Fluturimet e brendshme u rikthyen të hënën në disa provinca, ndërsa Ankaraja i ka lehtësuar ndjeshëm kufizimet pas rënies së numrit të të infektuarve. Fluturimet do të rikthehen në pesë faza në muajin qershor, teksa vendi është duke zhvilluar bisedime me 92 shtete për rikthim të udhëtimeve në mënyrë të sigurt.