Presidenti Ilir Meta dha sot pëlqimin e tij për hyrjen menjëherë në fuqi, pas miratimit nga Kuvendi, të ligjit “Për eurobondin që do të emetohet nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti, në marrëveshjet që do të lidhen”. Në një shkresë drejtuar dje Kuvendit, Presidenti Meta komunikonte mosdhënien e pëlqimit për hyrjen në fuqi menjëherë të këtij ligji, së bashku me arsyet përkatëse. Ditën e sotme, Presidenti tha se u njoh me sqarimet e kryetares së Komisionit për Ekonominë dhe Financat, dhe dokumentet zyrtare shtesë të paraqitura prej saj, të pavëna në dispozicion në kërkesën e parë.
“Në këtë shkresë zyrtare, Komisioni për Ekonominë dhe Financat shpjegon nevojën dhe urgjencën, si të lidhur me presionin e lartë financiar të shkaktuar pas goditjeve natyrore (tërmeti) dhe shëndetësore (pandemia Covid-19); është rishikuar titulli dhe neni 1 i projektligjit lidhur me çështjen e imunitetit; është vënë në dispozicion qëndrimi dhe vlerësimi i Bankës së Shqipërisë dhe i Avokaturës së Shtetit lidhur me këtë transaksion; është sqaruar procedura e ndjekur për përzgjedhjen e partnerëve që do të mbështesin këtë proces”, vlerëson Meta. Gjithashtu, ai u shpreh se është informuar lidhur me faktin se, neni 3 i projektligjit, mbi autorizimin që i jepet ministrit të Shtetit për Rindërtimin, do të propozohet të hiqet në seancë plenare. “Sa më sipër, pas vlerësimit të plotë të të gjithë praktikës dhe sqarimeve shtesë, Presidenti i Republikës jep pëlqimin e tij për hyrjen menjëherë në fuqi të ligjit, pas miratimit nga Kuvendi”, vlerëson Meta.
Nga ana tjetër, Meta theksoi se “çdo transaksion financiar duhet të paraprihet nga një analizë e gjendjes së valutës aktuale, të pritshmërisë së huadhënies për situatën emergjente të dhënë nga institucionet ndërkombëtare (FMN, BE etj.), si dhe të nevojave prioritare për të përcaktuar shumën e duhur në kohë të huamarrjes në tregun ndërkombëtar”. Ai ritheksoi nevojën që Qeveria dhe Kuvendi, në nisma të tilla ligjvënëse, të veprojnë në kohën e duhur, në mënyrë që t’u lihet hapësira e nevojshme të gjitha strukturave apo institucioneve për shqyrtimin e tyre.