Mesfushori i ri i Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, mezi po pret të luajë përkrah Paul Pogbës, përderisa Djajtë e Kuq po përgatiten për ndeshjen e së premtes kundër Tottenhamit në Premierligë. Paul Pogba u kthye në Old Trafford, ku e kishte filluar karrierën si profesionist, nga Juventusi për 89 milionë funte në verën e vitit 2016, pasi e kishte fituar statusin si njëri ndër mesfushorët më të mirë në botë gjatë periudhës katërvjeçare të tij në Allianz Stadium, transmeton Gazeta Express.

Ai ka shfaqur shpeshherë pjesë të asaj forme edhe në Mançester, mirëpo më shumë është diskutuar për sjelljen e tij. 27-vjeçari fillimisht cilësohej futbollisti që do ta kthente lavdinë në Old Trafford pas katër vjetëve pa titull të Premierligës, mirëpo ai ka arritur ta fitojë vetëm trofeun e Kupës së Ligës dhe atë të Ligës së Evropës që kur është kthyer. Një lëndim në kyçin e këmbës ia ka pamundësuar yllit francez të kontribuojë aq sa të donte ai gjatë sezonit 2019/20, përderisa spekulimet për të ardhmen e tij vazhdojnë të intensifikohen tani që jemi afër afatit kalimtar të verës.

Manchester Unitedit i mungonte kreativiteti në mesfushë në ndeshjet pa Pogban dhe kjo bëri që Solskjaer ta blejë Fernandesin nga Sportingu për 55 milionë euro gjatë afatit kalimtar të janarit. Që nga atëherë, ylli portugez ka arritur t’i bindë tifozët me paraqitjet e tij, përderisa këta të fundit kanë filluar të ëndërrojnë për një partneritet në mesfushë mes portugezit dhe Pogbas. Edhe vetë Fernandes është shprehur i emocionuar të luajë përkrah Pogbas. “Mendoj se të gjithë janë të emocionuar që do ta shohin Paul Pogban të luajë sërish. Ai e ka kaluar një kohë të gjatë i lënduar dhe të luaj përkrah tij do të jetë e mrekullueshme”, ka thënë Fernandes. “Ne kemi shumë lojtarë të mirë dhe gjëja më e rëndësishme është ta marrin një rezultat pozitiv për Manchester Unitedin. Të gjithë duan të luajnë me lojtarët më të mirë dhe Pogba është njëri ndër ata”.