Banorët e një pallati të ndërtuar para viteve ‘90 në Njësinë 10, pranë Drejtorisë së Policisë, u bënë bashkë dhe aplikuan në Bashkinë e Tiranës për të përfituar nga “Fondi i Komunitetit”. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se ndërhyrje të tilla në blloqe pallatesh të vjetra rrisin vlerën e pronës. “Mjafton të shikoni tabelat për apartamentet që kanë dalë në shitje, ndërsa deri dje nuk u afrohej kush sepse pallati dukej si i shekullit të kaluar. Fakti që sot këto pallate marrin vlerë është lajm fantastik”, tha ai.
“Krahas përmirësimit të jetës së banorëve që jetojnë në këto pallate, veshja me kapotë ul faturat e energjisë për ta. Veshja me kapotë nuk është vetëm estetike, por më shumë se kaq. Ajo ul me 30% faturën e kondicionerit tani në verë, dhe të ngrohjes kur të vijë dimri. Nëse kjo llogari del për këtë pallat, vlen për çdo pallat të Tiranës”, u shpreh Veliaj, teksa ftoi edhe banorët e tjerë të kryeqytetit që të zgjedhin së pari administratorin e tyre dhe të aplikojnë për të përfituar nga “Fondi i Komunitetit”. Deri në fund të kësaj jave do të nisë dhënia e 3 mijë pagesave të para për familjet që kanë pësuar dëme nga tërmeti dhe i përkasin kategorisë DS1, DS2 dhe DS3. “Për Njësinë 10 kemi rreth 112 dosje gati, 30 të tjera janë në proces. Deri në fund të kësaj jave do të kalojmë 3000 pagesat e para për ata që kanë vetëm dëmtime dhe rreth 300 shtëpi për ata që do t’u ndërtohet nga e para. Po të fillojmë nga 3000 pagesa dhe nga 300 shtëpi çdo javë, ecim në të dyja frontet; pra, edhe me pagesat, edhe me ndërtimin e shtëpive”, deklaroi Veliaj.
Përfaqësuesi i komunitetit të banorëve, Hasan Frangu vlerësoi nismën e suksesshme të Bashkisë së Tiranës, e cila u vjen në ndihmë qytetarëve për rikonstruksionin e pallateve, përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës. “Banorët e kanë kërkuar vetë, donin të bënin termoizolimin dhe kërkuan një administrator. Hodhën firmat dhe ia nisëm punës me aplikimin. Morën edhe mbështetjen e njësisë administrative”, u shpreh ai. Përmes projektit të Bashkisë së Tiranës, qytetarët mund të aplikojnë për të përfituar nga “Fondi i Komunitetit”, ku 50% të vlerës e paguan bashkia dhe 50% mblidhen nga kontributet e banorëve.