Mijëra njerëz u grumbulluan masivisht dje në të gjithë Francën për të celebruar në festivalin e përvitshëm të muzikës, duke ‘flakur nga dritarja’ distancimin social dhe kufizimet e koronavirusit. Amatorët kërcyen nëpër rrugë në atë që njihet si Fête de la Musique, madje në disa vendndodhje pjesmarrësit u përleshën me policinë në Paris ndërsa autoritetet në Nantes përdorën gaz lotsjellës për t’i shpërndarë. Franca ka zbutur shumë nga kufizimet e koronavirusit dhe presidenti Emmanuel Macron shpalli në fillim të muajit “fitoren e parë” kundër Covid-19 me hapjen e shkollave për nxënësit nën 15 vjeç.
Por disa rryma në qeveri thonë se kufizimet janë ngritur tepër herët teksa në skenat e djeshme shiheshin mijëra njerëz që festonin në eventin e përvitshëm të muzikës. Ministri i shëndetësisë Olivier Véran i kërkoi njerëzve të “vazhdojnë të respektojnë rregullat e distancimit në të gjitha rrethanat, për të mbrojtur veten dhe të dashurit tuaj”. Në imazhet e koncerteve të Canal Saint Martin dhe Marais në Paris – shiheshin njerëz që festonin pa maska e pa u distancuar, në një kohë kur rregullat në vend nuk lejojnë grumbullimin e më shumë se 10 personave. Njerëzit festuan deri mëngjesin e të hënës. Në sheshin Les Invalides në Paris përdori gaz lotsjellës ndaj turmave, ku disa individë qëlluan me gurë e mjete të forta. Shtatë persona u arrestuan në kryeqytet.