Pas Luftës së Dytë Botërore, administratat e presidentëve Frenklin Ruzvelt dhe Herri Truman në Shtetet e Bashkuara, udhëhoqën ndërtimin e rendit liberal, një grupim institucionesh ndërkombëtare, me dakordësinë e shteteve kombëtare. Synimi ishte ruajtja e paqes dhe prosperitetit në dekadat pas shkatërrimit të Luftës së Dytës Boterore, duke parandaluar në këtë mënyrë përhapjen e komunizmit dhe fashizmit. Por gjatë 30 viteve të fundit të shekullit XX-të, rendi liberal ndryshoi. Ai nuk synon më kryesisht mbrojtjen e Perëndimit nga komunizmi dhe fashizmi nëpërmjet rritjes së pagave, dhe zbatimit të programeve të gjera sociale. Përkundrazi, ky rend u bë një motor i globalizimit, duke e integruar ekonomikisht gjithë botën në një sistem të njehsuar.

Dhe rendi bashkëkohor liberal e bën këtë përmes 2 elementëve lëvizës:kapitalit dhe punës. Lëvizshmëria e kapitalit, lejon zhvendosjen e aseteve dhe bizneseve në vende të ndryshme ku ekzistojnë grupime të ndryshme rregullash ekonomike. Kur kapitali është i lëvizshëm, kontrollet e kapitalit nuk i pengojnë individët dhe kompanitë të zhvendosin pasuritë e tyre nga një ekonomi e caktuar në tjetrën, dhe pengesat tregtare i nxisin bizneset të operojnë në parajsat fiskale, pa u përballur me tarifat. Rendi liberal mundëson lëvizjen e një fluksi të shpejtë investimesh dhe njerëzish nga një vend në tjetrin. Këto flukse lehtësojnë rritjen ekonomike, dhe ulin koston e mallrave të konsumit, por ato gjithashtu prodhojnë edhe destabilitet. Kalimi i shumë parave shumë shpejt në ndonjë pjesë të veçantë të botës, krijon dukurinë e “flluskave”.

Lëvizja e shumë njerëzve jashtë një rajoni shumë shpejt, prodhon ‘ikjen e trurit’. Rendi liberal ekziston në tre nivele:global, rajonal dhe kombëtar. Në nivelin global, ai përbëhet nga organizata të mëdha ndërkombëtare, që përqendrohen kryesisht në rregullimin e tregtisë, huamarrjes dhe investimeve siç Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore. Në nivelin rajonal, rendi liberal krijon marrëdhënie më të forta tregtare, përmes marrëveshjeve të tilla si Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut (NAFTA), dhe forcon organizata të tilla si Bashkimi Evropian. Në rastin e BE-së, institucionet rajonale sigurojnë gjithashtu lëvizjen e lirë të njerëzve, një monedhë të përbashkët dhe një seri rregullash dhe rregulloresh fiskale. Në nivelin kombëtar, rendi liberal mishërohet nga partitë politike që janë të angazhuara ta mbrojnë dhe ruajnë atë.

Gjatë 12 viteve të fundit, që nga kriza globale ekonomike e vitit 2008, rendi liberal është i rrethuar nga të gjitha anët. Në të majtë, partitë tradicionale socialdemokrate janë dobësuar, ose mënjanuar nga partitë anti-establishment. Berni Sanders trazoi ekuilibrat në gjirin e Partisë Demokratike në SHBA. Xheremi Korbin, bëri të njëjtën gjë me Partinë Laburiste në Britainë e Madhe. Në Francë, Partia Socialiste është zhvendosur në periferi të skenës politikë nga më radikalët e La France Insoumise. Partia tradicionale e qendrës së majtë në Greqi, PASOK, u postua nga Syriza më radikale. Në të djathtë, Donald Trump realizoi një përvetësim armiqësor të drejtimit të Partisë Republikane në SHBA. Në Britaninë e Madhe, Partia Konservatore e nxori vendin jashtë BE-së. Republikanët në Francë, janë të sfiduar nga partia Tubimi Kombëtar i Marin Lë Pen. Ndërsa në Gjermani, ‘Alternative für Deutschland’ e ekstremit të djathtë është tani partia më e madhe e opozitës.

Në Itali, Partia Demokratike e qendrës së majtë dhe Lëvizja Pesë Yjet, u bënë bashkë për të formuar një qeveri koalicioni. Që të gjitha këto parti dhe lëvizje janë të interesuara të rishikojnë apo të injorojnë rendin liberal. Rusia po feston degradimin e këtij rendi, ndërsa Kina ka filluar të ndërtojë institucione alternative. Por kjo nuk do të thotë që rendi është i pambrojtur. Institucionet globale dhe ato rajonale janë të afta t’i shkaktojnë vështirësi ekonomike popullatave. BE, FMN dhe Banka Botërore, mund t’u mohojnë shteteve qasje në fondet e nevojshme, duke i kërcënuar ato me kriza ekonomike në rast se nuk respektojnë rregullat. Dhe qeveritë e dinë shumë mirë se nuk do t’i mbijetojnë dot zgjedhjeve të ardhshme, nëse këto organizata nxisin një kaos financiar në vendet e tyre. Për shembull në 2015, Greqia u përpoq t’i rezistonte kërkesave të masave shtrënguese financiare të BE-së, duke kërcënuar të largohej nga bashkimi monetar i eurozonës, nëse Brukseli refuzonte të ofronte më shumë mbështetje financiare. Por largimi nga eurozona, do të dëmtonte rëndë ekonominë greke në një periudhë afatshkurtër, dhe Brukseli e dinte këtë. BE e quajti kërcënimin një bllof të Greqisë, dhe në fund Athina u tërhoq. Verën e kaluar, SYRIZA u mposht nga Demokracia e Re, partia tradicionale e qendrës së djathtë në vend.

Rendi liberal ka sjellë integrim ekonomik, por ky ka qenë shpesh i pafavorshëm në aspektin politik. Në epokën pas vitit 2008, institucionet globale dhe rajonale kanë nxitur shumë shtete të shkurtojnë shpenzimet publike, duke eleminuar programet sociale dhe dobësuar shërbimet publike dhe infrastrukturën. Në shumë vende, standardet e jetesës së votuesve të zakonshëm kanë ngecur në vend, ose kanë bërë hapa pas. Lëvizshmëria e kapitalit, i jep mundësi miliarderëve dhe korporatave të mëdha të lëvizin me shpejtësi pasuritë e tyre në të gjithë botën, dhe kjo do të thotë që ato kanë shumë ndikim mbi qeveritë kombëtare. Nëse një qeveri rrit taksat për të mbështetur shërbimet publike, individët dhe kompanitë e taksuara mund të largohen, duke e privuar vendin si nga të ardhurat tatimore, ashtu edhe nga vendet e punës dhe investimet e nevojshme. Dhe recesioni ekonomik që pason, mund t’i kushtojë një qeverie zgjedhjet e ardhshme. Për të tërhequr investime të reja, qeveritë detyrohen të garojnë me njëra-tjetrën se kush favorizon më shumë oligarkët dhe korporatat transnacionale. Kjo do të thotë taksa dhe paga të ulëta, dhe pak rregullore. Qeveritë nuk janë të gatshme të marrin përsipër rrezikun e ikjes së kapitalit.

Ndërkohë votuesit janë nostalgjikë për një kohë kur shërbimet publike ishin shumë të mira, dhe kur jeta e tyre po përmirësohej. Dhe në vend se ta sfidojnë drejtpërsëdrejti rendin liberal, qeveritë kombëtare e drejtojnë formalisht gishtin e akuzës ndaj këtij rendi, dhe nga ana tjetër vazhdojnë t’i përafrohen atij ekonomikisht. Shembulli më tipik është lëvizja e Trumpit. Ai e braktisi Partneritetin Trans-Paqësor (TPP) të Barakës Obama në favor të tarifave, por synimi i këtyre të fundit është të arrihet përmes “shkopit”, ajo që Obama synoi të arrinte përmes “karotës”: lëvizja e kompanive dhe investimeve nga Kina drejt ekonomive aleate të SHBA-së në Paqësor. Duke e dëmtuar Kinën dhe duke dekurajuar gradualisht kompanitë amerikane që të bëjnë biznes atje, Trump mund të duket sikur po ngrihet kundër rendit liberal, kur në fakt ai po shkëmben një grup partnerësh tregtarë të Azisë Lindore me një tjetër.

Në këtë mënyrë, ai merr kredite politike nga të shfaqurit si armiqësor ndaj rendit liberal, por pa ndërmarrë realisht veprime, që do të rritnin në mënyrë të konsiderueshme koston e mallrave dhe shërbimeve në një periudhë afatshkurtër.

Por kjo balancë është e vështirë të ruhet. Nëse një qeveri shkon shumë larg kundër rendit liberal, rrezikon ta pësojë. Kjo është ajo që i ndodhi SYRIZA-s së krahut të majtë dhe udhëheqësit të saj Aleksis Cipras në Greqi. Përballja e tij me BE-në, ishte shumë direkte që Brukseli ta toleronte.

Pasi u ekspozua bllofi i Ciprasit, partia e tij u diskreditua. Njëherazi, nëse një qeveri shmang retorikën bombastike dhe përpiqet të menaxhojë pritshmërinë, mund të duket se nuk përbën më kërcënim për rendin liberal. Kjo është ajo që ndodhi me Tereza Mej në Britaninë e Madhe. Si kryeministre, stili retorik i Zonjës Mej nuk ishte shumë agresiv dhe marrëveshja e Brexit që ajo propozoi, nuk kishte ndryshime të mëdha në marrëveshjet e tregtisë që kishte vendi me BE-në. Kjo gjë shkaktoi rebelimin e krahut më anti-BE në Partinë e saj Konservatore, duke e zëvendësuar atë me Boris Xhonsonin. Ndërsa nacionalistët e përqeshin rendin liberal, demokratët radikale përpiqet t’i bëjnë qytetarët të ndjehen të përfshirë në vendimmarrje. Më e rëndësishmja, kjo nuk heq kontrollin e rendit liberal. Ai merret ende me integrimin ekonomik, por është shteti-komb ai që po merr kompetencat kryesore.

Një pjesë e asaj që e bën tërheqës nacionalizmin dhe demokracinë radikale, është se këto strategji e theksojnë dallimin tonë kombëtar, individual ose grupor. Institucionet politike globale sheshojnë dallimet, dhe po marrin vendime të veçanta për të gjithë botën. Ne nuk duam një model standart. Por për fatin tonë të keq, rendi liberal na e ka dhënë tashmë një të tillë. Ndaj jemi përballë një zgjedhje të tmerrshme. Ne mund të vazhdojmë të përqafojmë strategjinë nacionaliste për të mbajtur të gjallë rendin liberal, duke krijuar kushtet në të cilat ai do të “vd esë”.

Kjo do të sjellë shpërbërjen e rendit, duke dëmtuar rritjen ekonomike, dhe shkaktuar një rritje të madhe të kostove të mallrave dhe shërbimeve. Standardet tona të jetesës, do të bien në mënyrë dramatike. Shteti-komb do të rikthehet në qendër të skenës, por me koston e dëmtimin të prosperitetit që ne kemi arritur që nga Lufta e Dytë Botërore. Ose mund të përqafojmë reforma radikale demokratike, dhe të përpiqemi ta bindim veten se ata do të na fuqizojnë, ose të paktën do të na japin ndjenjën e kënaqshme të fuqizimit./Marrë me shkurtime nga “Aeon.co” – Bota.al