Shtatë anije me mallra të ndryshme priten gjatë kësaj fundjave në portin e Durrësit, ndërsa në Terminalin Perëndimor vijon përpunimi i tre anijeve të tjera.

Nga Qendra e Informacionit në Autoritetin Portual, mësohet se sot në portin më të madh të vendit po përpunohen tre anije me rreth 11,800 t mallra gjithsej, si çimento, hekur dhe paleta me melaminë. Gjithashtu, gjatë 48 orëve të fundjavës, në të tre Terminalet e mallrave do të ankorohen 7 anije të tjera tregtare.

Dy prej tyre do të shkarkojnë dhe ngarkojnë rreth 600 konteinerë gjithsej, ndërsa nga pesë anijet e tjera do të shkarkohen afro 17 mijë ton mallra të ndryshme, si hekur, xhama, çimento dhe skrap.